A mund të zhbllokohet Kuvendi përmes qytetarëve dhe referendumit? Ja çfarë thotë avokati

1 month ago 10

Dita e djeshme ka qenë dita që ka shënuar “dështimin” e pesëmbëdhjetë me radhë që Kuvendi i Kosovës të konstituohet.

Por, me ditën e djeshme u konfirmua edhe një dritë jeshile që të zhbllokohet kuvendit dhe kjo përmes presidentes Vjosa Osmani.

Të martën, liderët e partive politike në Kosovë kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre për takim me presidenten, Vjosa Osmani, pas ftesës së kësaj të fundit bërë të hënën.

Në ftesë, presidentja ka ftuar partitë politike parlamentare për të diskutuar mundësitë për daljen nga bllokada që është krijuar në Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Megjithatë, dy parti që garuan në koalicione dolën me ankesa se nuk kanë marrë ftesa nga Presidenca.

Faton Peci, bashkëkryetari i partisë Guxo, e cila ishte themeluar nga Osmani, ka thënë se nuk mori ftesë të veçantë.

“S’kemi marrë ftesë, do të duhej me marrë ftesë sepse jemi subjekt politik i regjistruar në Komisionin Qendror Zgjedhor pavarësisht që s’kemi garuar vetëm. Kemi garuar bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje”, tha shkurt ai dje para gazetarëve në Kuvend.

Ngjashëm u ankua edhe Fatmir Limaj i Nismës, i cili në zgjedhje hyri në koalicion me AAK-në e Ramush Haradinajt,

Limaj dje tha se ende nuk kanë marrë ndonjë ftesë nga presidentja.

Këto “hatërmbetjet” e Pecit dhe Limajt, nuk i bëjnë përshtypje presidentes, ku këshilltari i saj, Bekim Kupina, u shpreh se ftesat janë për “liderët e subjekteve parlamentare”.

Gjersa, takimet me partitë e mëdha priten të fillojnë nga ora 13:00 dhe me të tjerat nga ora 15:00, avokati Ardian Bajraktari ka folur për “Bota sot” për zhbllokimin e kuvendit, që sipas tij në kushte normale kjo nuk do të duhej të ndodhte.

Sipas Bajraktarit, ka qenë i nevojshëm dhe i domosdoshëm angazhimi i Presidentes.

“Në rrethana normale nuk do të duhej të ndodhte përfshirja e institucionit të presidentit/presidentes në këtë rast, por duke qenë se tashmë Kuvendi është në bllokadë dhe deputetët e zgjedhur nuk po arrin ta tejkalojnë këtë situatë në drejtim të jetësimit të vullnetit politik të qytetarëve të shprehur në zgjedhje, e shoh si të nevojshëm dhe të domosdoshëm angazhimin e Presidentes në drejtim të gjetjes së një zgjidhje dhe tejkalimin e kësaj situate.

Për më tepër është detyrë dhe përgjegjësi kushtetuese e Presidentit/es, ngase e njëjta duhet të garantoi funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë, kjo është kompetencë e përcaktuar me nenin 84, paragrafi 2 të Kushtetutës.

Konstituimi i Kuvendit, përkatësisht zgjedhja e Kryetarit dhe e nënkryetarëve është hapi i parë, pas përfundimit të të cilit proces duhet të kalohet në zgjedhjen e Qeverisë, e për zgjedhjen e të cilës fillojnë me rrjedhë afatet, ku edhe Kushtetuta por edhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë mjaftë të qarta në këtë drejtim, duke i dhënë mundësi dhe të drejtë mjaftueshëm subjektit fitues të zgjedhjeve, por krahas të drejtës, ka edhe përgjegjësi, prandaj unë në parim nuk jam në asnjë variant të shkohet me një qeveri ku fituesi i zgjedhjeve, qoftë edhe fituesi relativ të mos jetë i përfshirë në të”, ka deklaruar Bajraktari.

Image

Ardian Bajraktari

Në anën tjetër, i pyetur nga “Bota sot”, rreth qeverisë gjithëpërfshirëse, funksionimit të saj dhe a mund të përfshihen qytetarët rreth kësaj çështjeje përmes një referendumi, ai e sheh këtë të panevojshëm.

“Në lidhje me çështjen e referendumit, një gjë e tillë përveç se e shoh të pa nevojshëm, aktualisht edhe të pamundur, ngase nuk ka as nevojë, e as bazë ligjore për një gjë të tillë”, ka shtuar avokati.

Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje, është partia e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit dhe po këmbëngul në kandidaten e saj për kryeparlamentare. Albulena Haxhiu dështoi të marrë votat e nevojshme për disa herë me radhë.

Read Entire Article