Shkrimtarja dhe aktorja Anisa Markarian, në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën në News24, tregoi arsyen pse te libri i saj, “Fshesarja e Republikës” personazhet janë nga komuniteti rom dhe egjiptian. Ajo tregoi se është ndikuar nga përjetimet e fëmijërisë së saj.
Siç thotë shkrimtarja, ajo adhuronte vajzat dhe gratë e komunitetit rom, mënyrën si visheshin, sjelljen e tyre deri edhe refuzuese ndaj rregullave të kohës, gjë të cilën pjesa tjetër e popullsisë nuk guxonin të arrinin në ato nivele sfiduese.
Nisida Tufa: Cila është arsyeja e përzgjedhjes së personazheve të librave nga komuniteti rom dhe egjiptian?
Anisa Markarian: Në fëmijërinë dhe rininë time isha shumë admiruese ndaj arixheshkave, ishin të bukura dhe i gjithë komuniteti sikur kishin guximin që të mos i bindeshin rregullave që ne të tjerët bënim kujdes t’i bindeshin. Kishin një stil veshje që më pëlqente shumë. Arixheshkat që dilnin dhe shisnin kanistra ose gjëra të tjera, kishin gjithmonë një lule te flokët, fustane me ngjyra të ndezura, flokë të gjatë, gërsheta të zinj. E gjitha kjo më krijonte imazhin e një vajze shumë të bukur dhe tepër sensuale. Një tjetër kujtim që kam, përballë shtëpisë te Selvia kishim depon e fshesaxhinjve dhe veprimet që ndodhnin ne i ndiqnim nga ballkoni. Vinin në darkë dhe rrugët e Tiranës fshiheshin gjatë natës. Këto kishin një kryetar që është personazh i librit, Mesul Çengeli, ky ishte dorac, kishte një protezë dhe ishte një nga shefat që abuzon me vartësit e tij. Derisa një ditë, bashkëshorti i njërës prej fshesareve i vuri zjarrin depos me qëllim që të vriste shefen dhe jeranen, por kishte mbetur vetëm biccikleta dhe radioja Iliria e tij. Të gjitha këto ishin aq të forta dhe kaq të bukura sa thashë po gjej një komunitet tipik në mënyrë që edhe personazhet e mi, sidomos vezullorja të kete këtë stilizim tipik të saj.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb