Arsenali më i madh i armëve i sekuestruar ndonjëherë në Kosovë, Zveçla: Organizim terrorist me urdhër nga Beogradi

11 months ago 16
Reklamë
19:49 25/09/2023

Është arsenali më i madh i armëve i sekuestruar ndonjëherë në Kosovë. Mjetet dhe armët që shikoni në video u gjetën brenda manastirit të Banjskës dhe zonat përreth nga policia e Kosovës. Sipas autoriteteve ato janë përdorur nga rreth 30 persona, grup terrorist që ndërmorën sulmin ndaj forcave policore kosovare. Janë gjetur autoblinda, 24 automjete e dy motorra si dhe lloje të ndryshme armësh që posedonin terroristët.

“Predhë minëhedhëse 82 milimetërsh, 54 copë, predhë minëhedhëse 82 mm 62 copë, granatë dore 75 copë, mina anti-tank 8 copë, eksploziv dinamit 150 copë. Detonatorë elektrikë 23 copë, armë e kalibrit të rëndë 1 copë, armë e gjatë mitroloz 6 copë, AK-47 30 copë, armë e gjatë me dylbi 6 copë, armë e shkurtër revole 3 copë, armë e shkurtër me shurdhues 3 copë, shurdhues të AK-47 18, anti-plumba 21, municion i kalibreve të ndryshme, sasi shumë e madhe municioni.”

Mes mjeteve të sekuestruara, është edhe automjeti i nënkryetarit të Listës Serbe Radoiçiç i cili sipas autoriteteve kosovare ka qenë pjesë e grupit terrorist.

“Në këto material po ashtu kemi gjetur dokumente të kriminelit që po ashtu është dhe në listën e zezë të SHBA-ve që dëshmojnë pjesëmarrjen e tij të drejtëpërdrejtë në këtë aksion.”

U sekuestruan gjithashtu edhe uniforma ushtarake mbi 100 ndërsa mjetet janë të regjistruara në Serbi. Sipas ministrit Sveçla aksioni ka qenë i mirëmenduar nga Serbia.

“Në objektet brenda dhe veturë janë gjetur dhe harta e plane që tregojnë për organizimin e gjatë të mirëmenduar dhe bashkërenduar. Këto harta janë dëshmi që kemi të bëjmë me organizim terrorist që është udhëhequr dhe urdhëruar direkt nga Beogradi. Falë profesionalizmit të vendit tonë, plani i tyre dhënë nga Vuçiç për të përshkallëzuar situatën e sigurisë në vendin tonë tashmë ka dështuar.”

Sulmi sipas tij është përgatitur prej kohësh.

“Edhe nga ekspertë vendorë e të huaj është konstatuar se për këtë sasi armatimi, këtë organizim dhe përgatitje duhen së paku disa muaj. Nuk ka të bëjë me një organizim të shpejtë apo të ditëve të fundit.”

Pjesa më e madhe e grupit të terroristëve mundën që të largoheshin ndërsa sipas ministrit të Brendshëm kosovar 6 prej personave ndodhen në spital në Novisad ndaj ai i bëri thirrje Serbisë që t’i dorëzojë në mënyrë që të përballen me ligjin.

Forcat policore kanë vijuar ekspertizën brenda Manastirit në Banjskë si dhe zonat përreth. E gjithë situata në fshat, por edhe në Zveçan është monituar vazhdimisht edhe nga forcat e KFOR.

Klan News


Të ngjashme

Read Entire Article