Avokati Stojkoviq: Radoiçiq është pjesë e BIA-s, Vuçiqi me anë të propagandës ruse po krijon frikë dhe panik te serbët e Kosovës

11 months ago 19
Reklamë

Avokati nga Beogradi, Çedomir Stojkoviq duke komentuar sulmin e fundi terrorist ndaj Policisë së Kosovës, ka thënë se me këto veprime Aleksandar Vuçiq, duke përdorur propagandën ruse, po krijon frikë dhe panik te serbët e vendit tonë.

Ai me anë të një komenti në rrjetin social X, ka treguar se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq është Agjencisë serbe për Siguri dhe Informacion (BIA) dhe se të gjitha këto veprime në veri të Kosovës janë bërë me koordinim të Vuçiqit.

“Milan Radoiçiq është pjesë e Agjencisë serbe për Siguri dhe Informacion. Nuk ka mundësi që Radoiçiq të bëjë asnjë veprim pa lejen e Aleksandar Vuçiqit! Radoiçiq ka më shumë se 60 milionë euro punë me prokurim publik, të dhëna direkt nga Aleksandar Vuçiq. BIA koordinon drejtpërdrejt aktivitetet e tij afariste dhe paraushtarake”, shkruan Stojkoviq.

Ai shton se njëra nga strategjitë e Vuçiqit ndaj Kosovës është krijimi i skenarit të Donbasit apo Krimesë.

“Skenari është për të përgatitur një Donbas dhe Krime në Kosovë. Në Beograd, gjithçka po punohej dhe përgatitej për t’i futur serbët e Kosovës në një dëshpërim psikologjik, frikë, pasiguri dhe panik – saqë kur BIA me Radoiçiqin dhe forcat e tyre speciale të organizuara nga Serbia – t’i vënë zjarrin ‘rebelimit të armatosur’, atëherë serbët në Kosovë nuk do të kishin zgjidhje tjetër veçse t’u bashkohen planit të Aleksandar Vuçiqit”, ka shtuar ai.

AV KOSOVO SCENARIO:
1/
Milan Radojičić je deo Bezbednosno informativne agencije Srbije (BIA).

Nikakve šanse nema da M. Radojičić uradi BILO ŠTA bez znanja i dozvole aleksandra vučića!

M. Radojičić ima preko 60.000.000 € poslova u javnim nabavkama koje mu daje direktno… https://t.co/cuB5h7XywQ pic.twitter.com/NPbXxMqEC8

— Advokat Čedomir Stojković 🇷🇸🇺🇦 (@FIGHT_4_RIGHT_S) September 28, 2023

Stojkoviq përmend pesë pikat nga plani i Vuçiqit për ta destabilizuar Kosovën.

“Shërbimi inteligjent dhe propagandisti rus të nxisin guximin te serbët e frikësuar që tani janë të armatosur mirë: ‘Fillon operacioni special serb’ (si ai rus në Ukrainë)”, thuhet në njërën nga pikat e publikuara.

“Është e rëndësishme të theksohet se Aleksandar Vuçiq nuk ka hequr dorë nga ky plan dhe nuk do të heqë dorë në të ardhmen e afërt. Në Donbas nga 2014-ta ka barrikada me të njëjtat armë si ato që u gjeten katër ditë më parë në Kosovë”, përfundon avokati serb.

Kujtojë se gjatë ditës së martë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka publikuar një video në të cilën shihet nënkryetari i Listës Serbe në oborrin e Manastirit të Banjskës, pas sulmit kundër Policisë së Kosovës në veri të vendit më 24 shtator.

Radoiçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa të tjerë.

Në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur derisa po shkonte për ta hetuar bllokimin e një rruge nga dy kamionë pa targa në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit, policia vrau tre sulmues të nacionalitetit serb, ndërsa i arrestoi tetë të tjerë. /Telegrafi/

Read Entire Article