BE dhe vota e diasporës

7 hours ago 1
Reklamë

Nga Aladin Stafa/ 

Me vitin zgjedhor thuajse zyrtarisht të hapur, forcat politike pjesmarrese në Shqipëri duket se janë në përgatitje e sipër për të maksimalizuar votën e tyre sa më shumë të munden. E përtej fushatës që do të zhvillojnë brenda vendit, zgjedhjet e 2025 pritet të sjellin mjaft risi, mes të cilave rritjen e numrit të votuesve edhe jashtë tij.

Një komponent i rëndësishëm janë votat e diasporës.

Një votë e cila do t‘i japë një mundësi përfaqsimi të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit në një proces, zhvillimi i së cilës do të bëhet nëpërmjet dërgimit me postë.

Por sa e motivuar duket diaspora me këtë zhvillim të ri?

A do të ndikojë kjo votë në rezultatin e zgjedhjeve?

Sa e ndjeshme është diaspora mbi situatën e brendshme politike apo dhe përtej në vendlindjen e saj?

Këto pyetje -në dukje shume teknike- janë ato që rrisin në cdo dalje publike presionin tek forcat politike e aq më shumë tek mazhoranca qeverisëse e cila këtë herë duket shumë më e përfshirë për të krijuar bazën mbështetëse sidomos jashtë vendit.

Duhet theksuar se diaspora jonë prej dekadash është e ngulitur fort në vende të Bashkimit Europian. E rritur dhe e kultivuar në vende me një demokraci e sistem të konsoliduar, ajo e njeh mirë realitetin e të drejtave qytetare, ku e drejta e votës së pari njihet si e drejta themelore e shoqërisë e që prekja e saj as nuk mund të mendohet.

Pikëpamjet e tyre mund të kenë një dallim nga zgjedhësit të cilët jetojnë brenda vendit. Mënyra se si ata qasen ndaj progresit, fryma ndryshe dhe zhvillimi në mendim që ata kanë kultivuar mund të luajnë të gjitha një faktor në përzgjedhjen politike me anë të votës së tyre.

Rrjedhimisht dhe problematikat e adresuara mund të jenë totalisht të ndryshme sepse ndikimi i përditshëm që ata kanë nga politika e brendshme është thuajse zero.

Nga ana tjetër duke e zhvilluar jetën e tyre jashtë Shqipërisë, presioni i ushtruar prej forcave të brendshme në punë dhe shoqëri, është ndjeshëm i ulët e si pasojë i lartë për partitë politike, të cilat priten të përballen me një votë të paparashikueshme. Po aq dhe një target -grup të pamenaxhueshëm.

Për Shqipërinë ky është një ´eksperiment´ i ri dhe mbarëvajtja e tij duhet parë nëse do të funksionojë dhe sa e vlefshme do të jetë në fund.

Por si arriti Shqipëria të pranojë të shkojë drejt një mendimi/ vendimi të tillë?

Duke parë se vitet e fundit po flitet për një afrim të vendit tonë në BE, me shumë mundësi një nga pikat që duhet plotësuar është dhe përfshirja e votës së diasporës, një detyrë apo pikë e kapitujve që do të maksimalizojë cështjen e demokratizimit dhe hapjen e vendit.

Gjithsesi pozitive duket sipërmarrja e qeverisë, që përtej përfitimit prej vitesh nga remitancat e diasporës në aspektin ekonomik dhe mundësisë së rimëkëmbjes së vendit, sidomos pas viteve të tranzicionit, tanimë së fundmi ka vendosur t’i japë zë dhe gjithpërfshirje të gjithë shtetasve shqiptare që edhe pse larg të afrohen me vendin e tyre me idenë se nuk janë të harruar por të vlerësuar.

Askush më shumë se ata nuk e ndjejnë mallin për rrënjët në Europën e ftohtë e burokratike, ku ngrohtësia dhe shprehja se ´guri i rëndë peshon në vend të vet´ i ndjek si hije gjithë kohës.

Nga ana tjetër nëse klubi europian e kërkon, ne e plotësojmë këtë kriter me dëshirën për t’u bërë një ditë pjesë e tij. Sepse fatkeqësisht të qenit ‘shqiptar’ nuk mund ta ndryshojmë dot megjithë dyshimet e mundshme ndaj dhe këtë ata duhet ta kuptojnë medoemos!

Read Entire Article