BE kundër Bislimit, kritika të forta për sjelljen e zv. kryeministrit të Kosovës

6 months ago 15
Reklamë

Bashkimi Evropian u është përgjigjur kritikave që ka marrë nga ana e zëvendëskryeministrit të Kosovës Besnik Bislimit i cili akuzonte të dërguarin special të BE-së për shkelje të parimeve në ndërmjetësim të dialogut.

Zëdhënësi për politikë të jashtme i bllokut thotë se kritikat e Bislimit janë të pavend.

“BE-ja po përpiqet të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje për një problem të krijuar nga një vendim i pakoordinuar i njërës palë, i cili nuk i është komunikuar paraprakisht popullatës së prekur. Shpresojmë që z. Bislimi do ta vlerësonte përpjekjen në vend që të akuzonte në mënyrë të pavend dhe pa bazë zyrtarët e BE-së. Një sjellje e tillë është e papranueshme”.

Derisa blloku vazhdon të shohë rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e qarkullimit të dinarit si vendim të njëanshëm e me ndikim negativ, konfirmohet ftesa për Kosovën e Serbisë që ta diskutojnë çështjen në kuadër të dialogut.

“Mungesa e konsultimeve paraprake do të thotë se nuk ka alternativa në këtë moment dhe ka ndikim negativ në shkolla dhe spitale. BE-ja dhe shtetet anëtare të saj ishin shumë të qarta në reagimin e tyre ndaj këtij vendimi kundërproduktiv, se kjo çështje duhet të trajtohet në kuadër të Dialogut. Borrell u takua me presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti në Mynih fundjavën e kaluar, ku është diskutuar kjo çështje. Në vijim të këtyre takimeve, i dërguari special Lajçak ka ftuar dy palët të vijnë në Bruksel të martën më 27 shkurt”.

Stano shton se nuk është specifikuar se kush duhet të përfaqësojë Kosovën dhe Serbinë dhe se ndërmjetësuesi Miroslav Lajcak ua ka lënë në dorë palëve.

Blloku konsideron se “autoritetet e Kosovës kanë qëndrim jokonstruktiv, dështim dhe mungesë të angazhimit që vetëm sa e largojnë edhe më shumë Kosovën nga perspektiva e saj evropiane”.

Rregullora e Bankës Qendrore të Kosovës që rikonfirmon euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë dhe e largon dinarin e Serbisë nga tregu është kundërshtuar nga ndërkombëtarët, pasi konsiderohet se prek komunitetin serb i cili merr ndihma financiare nga Serbia.

Kjo rregullore ka hyrë në fuqi nga data një shkurt dhe mundëson një fazë tranzitore jo më shumë se tre muaj për qytetarët serbë që përdorin dinarin si mjet pagese.

Top Channel

Read Entire Article