Kryeministrja italiane Giorgia Meloni thoshte sot se është “e shtangur që qeveria gjermane financon anijet e bamirësive të shpëtimit të emigrantëve në Detin Mesdhe”, në një letër për kancelarin gjerman Olaf Scholz.
Rritja e frikshme e numrit të barkave me emigrantë që mbërrijnë në ishullin italian të Lampedusa ka nxitur debat të ashpër në Evropë mbi menaxhimit e të ardhurve.
Para se të vinte në pushtet me të djathtën radikale Meloni ndiqte një linjë të ashpër anti-emigrantë në retorikat e saj por Itali po sheh tashmë vetëm shtim të të ardhurve nga Afrika e veriut, teksa rreth 133,000 kanë ardhur aty këtë vit, në krahasim me 69,800 për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Prandaj qeveria e Meloni thotë se po përpiqet të kufizojë aktivitetin e anijeve të bamirësisë që sillen rreth detit Mesdhe për të shpëtuar barka që gjenden në vështirësi. Vende evropiane kritikojnë retorikën e Meloni por aktiviteti anijeve të bamirësisë është kritikuar shpesh nga supozime për lidhje me trafikantët në brigjet afrikane, së bashku me pretendimet se Itali nuk duhet të përballojë e vetme fluksin e të ardhurve.
Letra e Meloni-t me datë 23 shtator, u bë publike nga ministri i saj i mbrojtjes Guido Crosetto, i cili gjithashtu kritikonte Gjermaninë për mbështetjen ndaj anijeve të bamirësive që sjellin refugjatët në Itali.
“Jam habitur kur mësova se administrata juaj, pa u koordinuar me qeverinë italiane, mbështet financiarisht OJQ-të e bamirësisë që operojnë anije në detin Mesdhe për pritjen e emigrantëve ilegalë”, shkruante Meloni për Sholtz.
Ajo shtonte se “iniciativat funksionojnë si një joshje për emigrantët” që ndërmarrin kalimin e vështirë shpesh vrasës të detit me barka të papërshtatshme.
Dje një zëdhënës i ministrisë së jashtme gjermane tha se mbështetja financiare e Berlinit për OJQ-të e anijeve “nuk duhet të habisë njeri pasi është miratuar nga parlamenti”.
“Ne i kemi informuar partnerët italianë për këtë por u desh kohë për përzgjedhjen e OJQ-ve që ia vlente të financoheshin”.
Gjermania ka konfirmuar për rrjetin AFP se jep rreth 400,000 euro deri në 800,000 euro për secilin nga dy projektet e anijeve të emigrantëve në Mesdhe.
Lajmi është kritikuar dhe nga aleati i koalicionit qeveritar italian Matteo Salvini, ndërsa ministri i mbrojtjes Guido Crosetto, e quante një “lëvizje serioze që vë në vështirësi Italinë”. /TheGuardian/
Top Channel