Britania, papritur një shembull stabiliteti në Europë, shqetëson Franca

2 months ago 13
Reklamë

Ishte një javë e mirë për Evropën. Ishte një javë e keqe për Evropën. Ishte një javë e mirë sepse Britania tanimë ka një qeveri të fortë dhe të qëndrueshme, e prirur për të rivendosur marrëdhëniet me BE-në, teksa votuesit në Francë u mblodhën për të mbajtur ‘të djathtën’ (RN) jashtë pushtetit. Ishte një javë e keqe sepse Franca duket se e pret një  periudhë qeverisjeje e dobët, e paqëndrueshme, e ndarë që do të kthehet në një “barrë” për të gjithë BE-në. Ky zhvillim vjen në një vit vendimtar për kontinentin tonë, me Vladimir Putin që ende sulmon Ukrainën dhe Donald Trump, i cili përsëri ka të ngjarë të bëhet president i SHBA-së, nëse Joe Biden nuk largohet siç do duhej.

Le të fillojmë me lajmin e mirë, përpara se të biem sërish në depresion. Britania ka një qeveri të përgjegjshme, pragmatike të qendrës së majtë, e zgjedhur për të paktën pesë vjet. Qeveria britanike udhëhiqet nga një ish-avokat i të drejtave të njeriut, i vendosur për të mbrojtur sundimin e ligjit në vend dhe ndërkombëtarisht; përqafon një ndërthurje të arsyeshme të ekonomisë së tregut, ndërhyrjes së shtetit dhe drejtësisë sociale; mbështet fuqimisht Ukrainën dhe është i përkushtuar të ndjekë marrëdhënie të mira me vendet e tjera evropiane.

Në fakt, është një qasje shumë më e mirë me vlerat e shpallura në nenin 2 të Traktatit për Bashkimin Evropian sesa qeveria e shtetit anëtar të BE-së Hungaria, lideri nacionalist anti-liberal i të cilit, Viktor Orban, i cili vijon bisedimet me Putin në Moskë për të hartuar plane se si mund ta detyrojnë Ukrainën të kapitullojë në emër të “paqes”.

Por këtu është pengesa: Britania (në rast se nuk e kishit vënë re) nuk është më një anëtare e komunitetit thelbësor politik dhe ekonomik të Evropës. Si në stërvitje për të vrapuar në 100 metra në Lojërat Olimpike të Parisit, David Lammy, ministri i ri i Jashtëm i Britanisë, vizitoi homologët e tij në Gjermani, Poloni dhe Suedi, të gjitha këto takime vetëm në ditët e para në detyrë.

Ndërkohë, John Healey, ministri i ri i Mbrojtjes është treguar i prerë dhe i qartë në kërkesën e tij për një rivendosje të marrëdhënieve apo siç ai e quan, një  “fillim të ri” dhe një “partneritet të ngushtë” me BE-në dhe vendet individuale evropiane.

Britania propozon një pakt të ri sigurie Mbretëri e Bashkuar-Bashkim Europian, me bashkëpunim më të ngushtë në shumë fusha. Ky vullnet i mirë është shprehur edhe në Berlin, Paris, Varshavë dhe kryeqytete të tjera evropiane. Por fakti që Britania e Madhe është institucionalisht vetëm një tjetër “vend i tretë” për BE-në do të thotë se procesi i negocimit të kësaj marrëdhënieje të re, më të ngushtë do të jetë i ndërlikuar, me mundësi të shumta bllokimi apo vetoje për aktorë të ndryshëm kombëtarë, partiakë-politikë dhe burokratikë brenda BE-së.. Për më tepër, vijat e kuqe që Starmer shpalli për të kthyer votuesit pro Brexit-it në laburistë, pa kthim në bashkimin doganor të BE-së, tregun e vetëm apo lirinë e lëvizjes, kufizojnë seriozisht atë që mund të bëhet në frontin ekonomik.

Po ashtu, politika britanike nuk është aq e ndryshme nga ajo në Evropën kontinentale sa duket në pamje të parë. Një arsye kryesore për fitoren e thellë të Laburistëve ishte se vota e krahut të djathtë u nda midis konservatorëve dhe partisë reformuese të Nigel Farage, e cila është një “version britanik”, ose më saktë anglez, e Tubimit Kombëtar të Marine Le Pen, AfD-së së Gjermanisë ose Fratelli të Italisë

Fratelli d’Inghilterra i Farage ose, nëse preferoni, Alternativa për Anglinë, mori rreth 14% të votave popullore, krahasuar me rreth 24% për konservatorët. Ndjenjat populiste nacionaliste në të dyja anët e Kanalit do të kufizojnë dhe komplikojnë rivendosjen e marrëdhënies Mbretëri e Bashkuar-BE, ndërsa në të dyja anët e djathta ekstreme po fuqizohet.

Gjithsesi, lajmet nga Londra janë më inkurajuese sesa ato nga Parisi. Po, një astronaut që rrotullohet rreth planetit tonë do të kishte dëgjuar një psherëtimë të madhe lehtësimi që ngrihej nga i gjithë kontinenti evropian në orën 20:00 me orën franceze të dielën në mbrëmje, pasi mësuam se e djatha ekstreme nuk mundi të korrte të njëjtin sukses spektakolor si në raundin e parë të këtyre zgjedhjeve parlamentare, por rezultoi se do të jetë vetëm grupi i tretë më i madh në Asamblenë Kombëtare, Dhoma e Ulët e parlamentit francez. Por këtu mbaron lajmi i mirë. Nëse në Britani vota popullore ishte para së gjithash për të dëbuar konservatorët, në Francë ishte për të mbajtur jashtë RN, jo për të zgjedhur një alternativë më të mirë në veçanti.

Rezultati zgjedhor është një ndarje e parlamentit midis tre grupeve kryesore: Fronti i Ri Popullor i mbledhur me ngut (NFP), një koalicion i majtë i katër partive shumë të ndryshme, duke përfshirë Euroskeptik dhe populist France Unboëed; Ansambli qendror i Macron-it, i cili në të vërtetë nuk është një parti, por një ansambël; dhe RN, e cila është një parti shumë e disiplinuar. Asnjë nuk ka shumicën më vete. Të gjitha opsionet që po diskutohen për formimin e një qeverie ka të ngjarë të jenë të paqëndrueshme.

Vendi ka një borxh kombëtar në rritje dhe deficit të madh buxhetor. Planet e shpenzimeve të mëdha nga NFP mund të provokojnë akoma zemërimin e tregjeve të bonove dhe të shqetësojnë eurozonën. Sipas kushtetutës, presidenti nuk lejohet të shpallë zgjedhje të reja edhe për një vit. Në opozitë, RN mund të fitojë edhe më shumë mbështetje, duke u përgatitur për nxjerrjen e një kandidati për president nga Le Pen ose Jordan Bardella në 2027.

Me pak fjalë, ndërsa Britania ka një pushtet të fortë por një pozicion të dobët në Evropë, Franca do të ketë një pozitë të fortë në Evropë, por një qeveri të dobët.

Autoriteti dhe ndikimi i Macron është ‘tkurrur’ shumë, dhe kjo krejtësisht për fajin e tij.

Ish-kryeministri britanik Rishi Sunak ndoshta bëri llogaritë gabim kur shpalli e zgjedhjet e parakohshme (dhe më zhvilloi një fushatë të mbushur me gafa), por gjithsesi ai do të ishte i detyruar të shpallte zgjedhje deri në fund të vitit. E ardhmja ishte e qartë për konservatorët, pas 14 vitesh në pushtet që i kanë bërë mjaft dëme vendit. Macron, në të kundërt, kishte një shumicë relative, por jo absolute për grupimin e tij centrist në një parlament që u zgjodh deri në vitin 2027, vit në të cilin përfundon mandati i tij presidencial.

Mbaj mend që e pashë atë në Normandi në përvjetorin e “Ditës D”, më 6 qershor dhe i thashë vetes: “Qenka kthyer në një njeri që i është ‘dorëzuar’ mendjemadhësisë”. Vetëm tre ditë më vonë, presidenti “jupiterian” bëri njoftimin e tij të nxituar dhe melodramatik për zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke manifestuar atë formë veçanërisht të dëmshme të marrëzisë që ai për fat të keq ndan me disa avokatë elitë britanikë të Brexit: marrëzinë e njerëzve me arsim të lartë dhe inteligjentë. Si rezultat, Jupiteri është bërë Icarus. Duke bërë thirrje për një “sqarim” politik, ai ka arritur të kundërtën.

Për të gjithë Evropën, tragjedia është se Macron ka qenë gjithashtu avokati më i fuqishëm i asaj që ne evropianët kemi nevojë urgjente, në një botë të ‘mbitensionuar’ të ndarë midis Putinit, Trump dhe Xi Jinping: më shumë unitet, më shumë koherencë, më shumë pushtet. Ose siç thotë ai: l’Europe puissance. Dhe ai është bërë kohët e fundit zëri më me ndikim i Evropës Perëndimore në favor të rritjes së mbështetjes për një Ukrainë të pushtuar, fati i së cilës sot varet në ‘fije të perit’. Vetëm pak javë më parë, Macron po na paralajmëronte se “Evropa është e vdekshme”. Tani, në një akt marrëzie dhe mendjemadhësie, ai i ka ngulur thikën pas shpine vetes dhe Evropës./vizionplus.tv/ Përktheu dhe përshtati: Jonida Velia

Read Entire Article