Dhuna ndaj gazetarëve në Kosovë, VOA: 72 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj tyre në 2023-shin

8 months ago 12
Reklamë

Në Kosovë gjatë vitit 2023 janë regjistruar 72 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve. Siç njofton korrespondentja jonë, Edlira Bllaca, njohës të fushës e cilësojnë vitin e kaluar ndër më sfiduesit në dekadën e fundit për sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias në tërësi.

Venera Xhoxhaj, punon si gazetare prej më shumë se 20 vjetësh. Në një bisedë me Zërin e Amerikës, ajo thotë se 2023-a, ishte ndër vitet më sfiduese për të.

“Kjo lidhet patjetër me ngjarjet në veri, me raportimet nga zonat atje, sepse ky vit nuk ka qenë i lehtë për të raportuar nga një situatë ku herë pas herë ka pasur ngritje të tensioneve dhe ka pasur sulme të vazhdueshme ndaj mediave”, thotë ajo.

Tensionet në veri shpërthyen në muajin maj pasi forcat policore shoqëruan për në zyrat e tyre kryetarët shqiptarë të katër komunave më shumicë serbe, të cilët dolën nga zgjedhjet e bojkotuara nga partitë politike serbe.

Me 16 qershor të vitit 2023, Venera dhe ekipi i saj nga Radio Televizioni i Kosovës, u sulmuan ndërsa po ndiqnin vizitën e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në zyrën e kryetarit të komunës së Leposaviçit, Lulzim Hetemi. Ata ishin pjesë e një grupi gazetarësh që sipas raportit të policisë “u sulmuan fizikisht në mënyrë brutale nga individë apo grupe kriminale”.

“Në momentin kur ka ndodhur sulmi fillimisht ka pasur një shok bombë dhe kemi filluar të vrapojmë për t’u larguar normalisht sepse e kemi parë se situata po tensionohet dhe grupet janë nisur drejt mediave. Gjuajtjet me gurë na kanë goditur gjithsesi gjithandej nëpër trup, në kokë, qafë e shpinë. Pra jam rrëzuar përtokë, jam goditur me gurë, jam trishtuar shumë, nuk kam besuar realisht që mund të dalim nga gjithë ajo situatë që është krijuar”, rrëfen Venera.

Ajo thotë se ngjarja, në të cilën u lëndua rëndë kolegu i saj, kameramani Bardh Bekteshi, e ka rënduar emocionalisht./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article