“Dikush u përpoq të hapte derën dhunshëm”: Një student përshkruan tmerrin e të shtënave në një universitet në Pragë të Çekisë, ku mbetën 14 të vdekur

10 months ago 11

Studenti i sapodiplomuar Jakob Weizman, 25 vjeç, i tha CNN se ishte në një klasë me profesorin e tij kur ata dëgjuan atë që dukej si të shtëna armësh dhe britma – dhe më pas tingujt u bënë më të fortë.

“Profesori im u përpoq të mbyllte derën, por nuk funksionoi”, ka thënë fillimisht Weizman, duke përshkruar ngjarjen në Pragë për të cilën policia çeke konfirmuan se 14 persona u qëlluan për vdekje, 25 u plagosën, me 10 të plagosur rëndë, përcjell Telegrafi.

Dhe për fat, Weizman arriti të mbyllte derën më në fund, tha ai.

Pak më vonë, ata filluan të shtyjnë mobiljet e klasës deri te dera për të krijuar një barrikadë.

“Rreth pesë minuta pas kësaj, dikush u përpoq të hapte derën shumë dhunshëm”, ka treguar Weizman. Ai beson se mund të ketë qenë ai që ka qëlluar, por nuk e di me siguri.

“Pasi bëra barrikadën dhe mbylla derën, u fsheha nën tavolinë dhe po përgatitesha për çdo gjë që mund të ndodhte”, shtoi Weizman. “Nuk e dija nëse do të hynte nga dera apo nga dritarja”.

Weizman, i cili i tha CNN se jetoi në Shtetet e Bashkuara për 15 vjet, nuk e kishte menduar kurrë se do të përjetonte një ngjarje masive të të shtënave në Evropë.

Studenti tha se policia më në fund mbërriti, kështu që ai theu barrikadën për t’i lënë ata të hynin.

Weizman tregoi se ai mund të shihte gjak në çdo kat ndërsa policia e shoqëronte për të dalë i sigurt. /Telegrafi/

Read Entire Article