“Dodik, më i afërt me Putinin sesa me Vuçiçin”

1 year ago 81
Reklamë

“Krizë e madhe dhe e vështirë” – kjo është gjithçka që mund të dëgjohet nghala zyrtarët në Beograd, prej se përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë anuloi dy vendime të Banjallukës që bien ndesh me Marrëveshjen e Dejtonit.

Këtë vlerësim e bëri presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili tha se “nuk do të komentojë më për këtë”.

Asambleja kombëtare e Republikës Sërpska – entitet në Bosnje e Hercegovinë – vendosi më herët që në territorin e saj të mos zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës dhe të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar.

Qeveria dhe Presidenca e Serbisë nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me vendimet e Banjallukës dhe reagimet e përfaqësuesit të lartë, si dhe nëse dy institucionet planifikojnë të përfshihen në qetësimin e situatës.

Në vitin 2006, Beogradi dhe Banjalluka nënshkruan një marrëveshje për vendosjen e marrëdhënieve të posaçme paralele.

Dy dekada më vonë, lidhjet u zhvilluan në të gjitha drejtimet – nga festa e përbashkët e “unitetit serb” – përmes Ligjit për ruajtjen e alfabetit cirilik dhe programeve dhe teksteve të përbashkëta shkollore – deri te bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.

Çfarë mund të bëjë Vuçiç?

Profesori në Universitetin Regent’s në Londër, Neven Angjelliç, thotë për Radion Evropa e Lirë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, do të përpiqet të mos ndërhyjë, për aq kohë sa të jetë e mundur.

Kur të ketë presion mbi të, si nga nacionalistët më të mëdhenj brenda Serbisë, ashtu edhe nga Republika Sërpska, për të bërë diçka si lider i supozuar i të gjithë serbëve, ai do të duhet të paraqitet sikur po bën diçka”, thotë Angjelliç. Por, ai beson se Vuçiç nuk mund të bëjë shumë në këtë moment.

“Ai mund të përpiqet t’i vetëdijesojë njerëzit udhëheqës në Republikën Sërpska, në një farë mënyre”, thotë Angjelliç.

Ai shton se aleanca perëndimore është shumë e kujdesshme për shkak të situatës në botë – para së gjithash pushtimit rus të Ukrainës – dhe se nuk do t’i injorojë sfidat, siç është aludimi për mosbindje brenda Bosnje e Hercegovinës.

Për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës fqinje, i cili ka hyrë në vitin e dytë, vendet kryesore perëndimore janë bërë më të ndjeshme ndaj sfidave të stabilitetit në Evropë, si Bosnje dhe Hercegovina dhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

Angjelliq thotë se interes primar i Vuçiçit dhe i shumicës së shoqërisë në Serbi është që të mos e pranojnë faktin se Kosova është shtet i veçantë.

“Në këtë aspekt, ata janë të gatshëm të paguajnë, pra të ofrojnë një politikë të caktuar ndaj Bosnje e Hercegovinës, të tillë çfarë u kërkohet”, thotë Angjelliç. Kosova e shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Nga viti 2011, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Çfarë tha Vuçiç?

Vuçiç tha se në Republikën Sërpska po ndodh një krizë e madhe dhe e vështirë dhe se ai nuk do të bëjë më deklarata. Më 2 korrik, ai i tha televizionit Prva të Serbisë se është duke folur me presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, dhe me shumë aktorë dhe njerëz të tjerë në atë entitet.

“Kam frikë se të huajt kanë vendosur të luajnë fuqishëm”, tha Vuçiç.

Top Channel

Read Entire Article