“Dy republika, një komb”/ Një ditë pasi u shmangën në stadium, Albin Kurti mesazh të fortë Ramës

11 months ago 32
Reklamë

Balkanweb app Get it on Google Play

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka dërguar ditën e sotme dy mesazhe të forta në lidhje me bashkimin kombëtar mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Jo më larg se dje Kurti ndoqi nga afër kombëtaren shqiptare në stadiumin “Air Albania”, aty ku ndodhej edhe Edi Rama, por dy liderët nuk u shfaqën pranë njëri-tjetrit.

Kurti kujtoi ditën e sotme datëlindjet e Migjenit dhe të Dritëro Agollit, të cilët Rama nuk i përmendi aspak.

“E kanë quajtur “uragan i ndërprerë” dhe “poet i mjerimit”, për vrullin dhe thellësinë e poezive dhe tregimeve të tij, në të cilat Migjeni ka fiksuar me tone të forta kritike gjendjen sociale në Shqipërinë e kohës kur jetoi. Veprat “Mollë e ndalueme”, “A don qymyr zotni”, “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Të birt’ e shekullit të ri”, sikur pothuajse çdo tekst a skicë e Migjenit, tashmë janë kthyer në tekste klasike të letërsisë shqipe.

Kur Migjeni vdiq, Dritëro Agolli ishte vetëm 7 vjeçar dhe ndryshe prej tij, ai e pati fatin të jetonte gjatë, deri në moshën 85 vjeçare. Një jetë shumë e dendur për nga aktiviteti publik dhe veçanërisht e përshkuar nga një vepër artistike e larmishme nga pothuajse të gjitha zhanret e letërsisë.

Romanet “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” si dhe “Arka e djallit”, janë shtyllat më të larta të prozës së Agollit, dy vepra të tejkoshme…”, u shpreh Kurti në rrjetet sociale.

Vetëm një orë më pas, Kurti bëri një tjetër postim dhe këtë herë me mesazh me më shumë impakt.

Ai ka treguar arritjet e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë në dy vite e gjysmë. Ai shkroi se sipas tij ka dy republika me Shqipërinë dhe Kosovën, por një komb.

“Dy republika, një komb. Dy vjet e gjysmë, 58 marrëveshje bilaterale, me një qëllim: më shumë përfitime për qytetarët, më shumë për ekonominë. Për mbi 200 mijë banorët e brezit tonë të përbashkët kufitar mundësuam lëvizje e lirë duke funksionalizuar 26 vendkalime të veçanta. Kurse për të gjithë, mundësuam kalimin e lirë e pa kontrolle të kufijve gjatë muajve të verës, fundjavave dhe ditëve të pushimeve zyrtare. Aktualisht jemi afër jetësimit të kalimit të lirë e pa kontrolle çdo ditë të vitit. Krahas lëvizjes nga njëri shtet në tjetrin, lehtësuam edhe qëndrim te njëri dhe tjetri shtet, sepse thjeshtuam procedurat për pajisjen me leje qëndrimi, me afat 5 vjeçar. Hoqëm edhe detyrimin për apostilim të dokumenteve administrative”, ka thënë ai duke e mbyllur me fjalët: “Shumë është bërë. Edhe më shumë duhet bërë”, shkroi ai në Facebook.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article