Dyshohet si i përfshirë në masakrën e Fushë-Krujës, kush është Fatjon Murati, armiqësia me Ervis Martinajn dhe atentati me 1 të vrarë në lokalin e tij

1 hour ago 24

Prokuroria e Tiranës njoftoi sot përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të çështjes së Fatjon Muratit.

Ai është i shpallur në kërkim ndërkombëtar për disa vepra penale si evazion në vitin 2015, ‘pranimin e mallrave të vjedhura’, ‘posedim abuziv të armëve’, ‘Pjesëmarrjes në krime’ dhe për ‘Trafikim të lëndëve narkotike’.

Lexo edhe :

Related Posts

Prokuroria njoftoi se nga tërësia e provave të grumbulluara gjatë hetimit paraprak, rezultoi e provuar se, ky shtetas, me anë të pasurisë (para cash) të krijuar nga veprimtaria e kundraligjshme e vjedhjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike të zhvilluar në Itali, për periudhën 2014-2015, ka investuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, duke i transferuar ato në emër të familjarëve të tij (nënës dhe vëllezerve) me qëllim mbulimin e origjinës së tyre dhe për të shmangur çdo pasojë juridike të mëtejshme mbi këto prona.

Konkretisht bëhet fjalë për një njësi, kati nëntokë në objekt 6 katësh, sipërfaqe 317 m2, adresë Albanopoli, Tiranë në pronësi të nënës; Automjet Citroen; Automjet Mercedes Benz; dhe Automjet Daimler.

Këto pasuri në emër të nënës dhe 3 automjetet në emër të subjektit dhe vëllezërve nuk justifikohen me të ardhurat e ligjshme të realizuara prej tyre.

Kush është Fatjon Murati:

Fatjon Murati është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Murati prej janarit vitit 2023 kishte dalë nga burgu dhe ishte me masën e arrestit në shtëpi. 32-vjeçari ishte arrestuar më herët i akuzuar për ‘prodhim dhe mbajtje të armëve në bashkëpunim’. Konkretisht policia e Tiranës zbuloi arsenal armësh në një banesë në kryeqytet, banesë e marrë me qira nga Kristjan Gjini.

Gjatë hetimeve, në këto armë policia gjeti edhe shenjat e gishtave të Muratit. Madje ka dyshime se këto armë mund te jenë përdorur në vrasjen e trefishtë në Fushë-Krujë ku u ekzekutua i afërmi i Ervis Martinajt dhe dy të tjerë. Pas disa muajsh, Murati u arrestua nga policia. Ai u kap teksa po udhëtonte me një mjet të blinduar në shoqërinë e Endrit Dokles, një nga rivalët më të fortë të Martinajt. Në këto kushte, Gjykata e Tiranës më datën 11 tetor 2022 e la në burg Fatjon Muratin duke pranuar kërkesën e Prokurorisë. Më pas ky vendim u la në fuqi edhe nga Apeli konkretisht më datë 31 tetor të 2022.

Ndërkohë që çështja kaloi sërish në shkallë të parë për zëvëndësim mase, pasi ngjarja kishte rrethana të tjera, kësaj here lehtësuese për të.

Në dhjetor të vitit 2022 Prokurori i ndryshoi akuzën Muratit duke e akuzuar vetëm për armëmbajtje pa leje.

Pas vlerësimit të rrethanave, gjykata vendosi që Murati të lihej në arrest shtëpie dhe prokurori nuk e ankimoi një vendim të tillë.

Masakra e Fushë-Krujës:

Emri i Fatjon Muratit ka dalë edhe në masakrën me tre të vrarë në Fushë-Krujë. Murati ka qenë një nga personazhet që është kërkuar nga Prokuroria e Kurbinit për t’u marrë në pyetje.

Prokuroria e Krujës kërkoi marrjen në pyetje të disa personave në lidhje me atentatin e ndodhur të dielën në zonën e njohur si mbikalimi i Fushë Krujës, ku mbetën të vrarë tre të rinjtë Brilant Martinaj, (kushëri i Ervis Martinajt) Besmir Hoxha dhe Dikler Vata.

Mes emrave që kërkon organi i akuzës të pyeten ishin Gentian Reçi, djali i ish-policit të vrarë Xhelal Reçi, numri dy i bandës së Durrësit Endrit Dokle, në lidhje krushqie me ish-policin e vrarë, dhe nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja, Ramazan Rraja.

Gjithashtu, organi i akuzës kërkoi marrjen në pyetje në lidhje me atentatin me tre viktima dhe të shtetasve Alesio Dobrozi, Rohan Brahimi dhe Fatjon Murati. Grupi hetimor mblodhi prova të shumta në vendngjarje, dy aparate celularë pjesërisht të djegur dhe më shumë se 60 orë filmime të kamerave të sigurisë.

Paraprakisht, grupi hetimit dyshon se autorët kanë qenë katër persona të përgatitur për ngjarje të tilla dhe që e njihnin mirë zonën. Tre prej tyre kanë hapur zjarr me breshëri sapo mjeti “Passat” me të cilin udhëtonin viktimat u fut në mbikalim. Vendi ishte zgjedhur me kujdes, që Martinaj, Hoxha dhe Vata të mos kishin asnjë mundësi shpëtimi.

Atentati në lokalin e Muratit:

Vitin e kaluar lokali i Muratit në zonën e “Don Boskos” në kryeqytet u sulmua me breshëri armësh, si pasojë mbeti e vrarë punonjësja Mimoza Paja dhe u plagosën 5 të tjerë.

Në momentin e atentatit, në lokal kanë qenë vëllai i Fatjon Muratit dhe xhaxhai i tij, ku ky i fundit mbeti i plagosur pas të shtënave.

Hetuestit paraprakisht dyshojnë se atentati është përplasje mes bandave kriminale dhe fokusi kryesor është tek grupi i Ervis Martinajt.

Dyshohet se ata kanë dashur hakmarrje për vrasjen e Brilant Martinajt. Kamerat e sigurisë nga një distancë kanë filmuar dy persona që futen brenda mjetit që dyshohet se janë pikërisht autorët e ngjarjes.

Lokali në fjalë ishte ndër pasuritë që prokuroria i ka sekuestruar Faatjon Muratit, i cili dyshohet se është larguar nga vendi ynë. /vizionplus.tv

Read Entire Article