Edhe sa gjak duhet të derdhet në Kosovë?

11 months ago 14
Reklamë

Nga Kevin Agolli

Zgjimi i kësaj të diele ishte tragjik, shqetësues, dhe i frikshëm për atë çka ndodhi dhe çka mund të ndodhte. Kosova u gjend nën sulm! Megjithatë ky nuk është aspak një kryetitull. Kjo këmbanë alarmi, që shoqërohet gjithmonë me zhurmën e makinave dhe armëve të ushtrisë serbe në kufi me Kosovën, nuk po bie sot. Ajo është prezente në çdo orë të ditës, që bie në mënyrë paradoksale si këmbana brenda manastirit ku u fshehën trupat paramilitarë serb me armatimet e tyre. Armatime të cilat do t’i shërbenin si ngaherë demagogjisë shterpe të Beogradit, por që prapë do të rezultonin në shitblerjen e retorikës perëndimore dhe aleate, për planin e tyre madhor të keqstudiuar.

Megjithatë tashmë është vështirë dhe mbi të gjitha e gabuar, që retorika e BE dhe ShBA të vijojë me përkëdheljet kundrejt Vuçiç. Sidomos pasi i plasi në dorë municioni i armëve që morën jetë, dhe që nuk u dorëzuan për të vijuar shkaktimin e trazirave në veri të Kosovës. Edhe për sa duhet vazhduar gjumi i ëndrrave me sy hapur, teksa Serbia kopjon fije për pe provimin e Rusisë, në atë që ndodhi në Ukrainë që prej 2014-ës?! Padiskutim, shmangia e një konflikti të ngjashëm është ajo që kushdo kërkon, sidomos në Ballkan, megjithatë kjo nuk mund të arrihet nëpërmjet një loje të ruletës ruse, ku arma mbetet gjithmonë në duart e një personi.

Vuçiç po mundohet të shesë narrativën e rezistencës dhe kryengritjes së serbëve të veriut, njësoj siç bën edhe sot dita Putin, për të legjitimuar luftën, vrasjet dhe shkatërrimin që po ndodh në Ukrainë. Një paralele e ngritur, që kushdo është në gjendje ta shohë, përveç atyre që neglizhuan atë çka do ndodhte dhe ndodhi në Ukrainë dhe që sot po ndërmjetësojnë një proces dialogimi, që nuk ka kurrëfarë drite në fundin e tunelit të tavolinave dhe presioneve publike të bëra. Presidenti serb dje u shpreh se “njohja e Kosovës nuk do të ndodhë kurrë, megjithatë hajdeni ulemi dhe të flasim”. Po për çfarë? Për të pranuar farsën dhe mospranimin e realitetit, dhe për të justifikuar pagat e taksapaguesve të BE, të atyre që ulen në tavolinat ndërmjetësuese?

Për të mos u keqkuptuar; zgjidhja përfundimtare e konfliktit midis Prishtinës dhe Beogradit, do të kalojë pa dyshim nëpërmjet një tavoline, dialogu, marrëveshjeje dhe mbase dhe një fotografie që do të përkujtoj diçka që sot është akoma dhe më larg nga ajo që ishte dje.

Megjithatë, në këtë grumbull aktorësh ndërkombëtarë, që duan të kontribuojnë, por s’dinë si të reagojnë, nuk mund të lihet pa përmendur Shqipëria, që me deklaratën e djeshme ishte më e balancuar se çdo organizatë ndërkombëtare që si lidh asgjë as me njërën palë e as me tjetrën. Shqipëria, që kryeson Presidencën në Këshillin e Sigurimit, dhe vetëm disa ditë më parë çdo shqiptar u ndje krenar (ose duhet të ndihet) jo vetëm për këtë fakt, por dhe se Kryeministri Rama debatoi me të njëjtin pasion të 30 viteve me ambasadorin rus në OKB; ngriti zërin dhe nënvizoi një të vërtetë që sot askush se mohon, kush është agresori dhe kush është viktima në Luftën në Ukrainë. Minimalja që mund të bëhej prej kreut të Shtetit Shqiptar ishte të nënvizonte vetëm këtë frazë; kush është agresori dhe kush është viktima! Jo prej kohës së luftës, mjafton dhe vetëm në gjithçka ka ndodhur vetëm këtë vit.

Sidoqoftë, një gjë është e sigurt: sot Kosova dhe Kurti janë në një pozitë më të fortë, dhe pllaka e paragjykimeve publike ndaj tyre sot është kthyer, jo prej aftësisë së Kryeministrit të Kosovës, por prej të vërtetës së trishtë të asaj që Serbia ka qene dhe vijon të jetë. Fitorja më e madhe, midis gjakut të një dëshmori, është që menaxhimi i aksionit të kapjes së agresorëve u mbarëvajt prej policisë së Kosovës, dhe jo prej KFOR-it. Një tregues që Kosova është e aftë të vendosë rend brenda çdo pike në kufijtë e saj. Por megjithatë rreziku që sërish gjak të derdhet në Kosovë vazhdon të jetë prezent, jo vetëm ai i shqiptarëve, por dhe i serbëve që jetojnë atje, pikërisht për faktin që Serbia vazhdon të frymëzojë konflikt dhe vijon të jetë i njëjti shtet kundrejt Kosovës, pikërisht se ndaj saj nuk po merren masa.. akoma!

Dhe deri atëherë, dhe sa gjak duhet të derdhet në Kosovë?

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article