Filloi kursi mbi Edukimin Bazik të Specializantëve të Kirurgjisë – Faza 2/ Kolegji i Kirurgëve të Kosovës

11 months ago 33
Reklamë

Kolegji i Kirurgëve të Kosovës në bashkëpunim me Komitetit për Edukim Specialistik, Komitetin për Edukimin e Studentëve të Mjekësisë, Komitetit për Edukim të Vazhdueshëm Profesional dhe Komitetit të Specializantëve, ka filluar Kursin mbi Edukimin Bazik të Specializantëve të Kirurgjisë – Faza 2, i cili është dizajnuar vet Kolegji i Kirurgëve të Kosovës, dhe është pjesë e një kurrikule me tre faza

Faza 2 e këtij kursi, përmban 10 module, përderisa filloi me Modulin I : “Trajtimi bashkëkohor i hernieve të murit Abdominal”, me ligjërues Prof. Dr. Halit Maloku.

Me këtë rast, Dr. Sadik Llullaku, Drejtor Ekzekutiv i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, prezantoj punën e këtij institucioni, dhe kontributin e vazhdueshëm që ka dhënë dhe po vazhdon të jap kryetari i KKK-së, Prof. Dr. Rifat Latifi. Ai njoftoj të pranishmit se vitin e kaluar për herë të parë Kosova përmes Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës mori pjesë si e barabartë me shtetet tjera në Kongresin e Kolegjit Amerikan të Kirurgëve, dhe është përfaqësuar nga Kryetari Themelues i saj, Prof. Dr. Rifat Latifi.

Ai theksoi se me këtë, është duke u përmbushur një nga qëllimet kryesore të ekzistimit të Kolegjit të Kirurgëve përkitazi me edukimin e mjekëve të rinj sipas standardeve profesionale perëndimore.

Fjalë rasti pati Prof. Ass. Dr. Brikena Dacaj- Elshani, nga Këshilli Organizativ dhe Mbikëqyrës i Kursit, e cila tha se specializantët tanë po e dëshmojnë vetën çdo herë e më shumë, përderisa sipas saj, faza 2 e këtij kursi, do të jetë një vazhdimësi e kursit të parë.

Ajo iu drejtua specializantëve të pranishëm duke ju thënë se “ju jeni kolegët tanë të së ardhmes, që do të veproni dhe do të shërbeni vendit dhe qytetarëve, dhe nuk do të jeni duke vepruar dhe shërbyer në diasporë”.

Ndërkaq, Dr. Edmond Haliti, Kryetar i Bordit për Shkollim Specialistik në Ministrinë e Shëndetësisë, tha se “është privilegj që jam këtu për ta inauguruar këtë kurs kaq të rëndësishëm, dhe po ashtu është një privilegj që Kolegji i Kirurgëve të Kosovës, me punën dhe angazhimin që po bënë çdo ditë, është shumë premtues për specializantët dhe studentët e mjekësisë, drejtë avancimin të edukimit dhe dijës”.

Dr. Halili, deklaroj se ai ka ofruar mbështetjen e plotë edhe për këtë Fazë të kursit, dhe premtoj se do të jetë i pranishëm çdo kohë që kërkohet, që më kapacitetet tona profesionale që kanë të jenë sa më afër gjeneratave të reja.

I pranishëm në këtë ngjarje, ishte edhe Prof. Dr. Sabri Bajraktari, i cili shprehu mirënjohje për Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës për gjithë angazhimin që po bënë. Ai porositi specializantët se “çdo gjë që punoni duhet ta shënoni, sepse, sipas tij, ajo mbetet në kujtesë dhe do të pasuroheni dhe do ta shihni vetëm më të avancuar në lëmitë kirurgjike ku jeni përcaktuar. Degën që ju keni zgjedhur duhet ta doni, ta respektoni dhe të përpiqeni të jeni sa më konkret në profesionin që bëni”.

Kënaqësi dhe privilegj që ishte e pranishme, shprehu edhe Dr. Rinë Limani, kryetare e Komisionit për Edukim të Vazhdueshëm Profesional në Odën e Mjekësve të Kosovës.

Ajo tha se e gëzon fakti se është në ngjarje kaq madhështore, dhe po ashtu e gëzon fakti se po e sheh sallën të mbushur plotë me specializantë, e që ka siguruar vazhdimësi të Fazës-2 të kursit mbi Edukimin Bazik të Specializantëve të Kirurgjisë.

“Nuk ka takim në Komisionin që unë jam kryetare, e që Kolegji i Kirurgëve të Kosovës, nuk vjen me ndonjë aktivitet. Prandaj, e them se kjo është punë e individëve të vullnetit të mirë, kënaqemi kur shohim aktivitete të tilla nga KKK, dhe ju inkurajoj të vazhdoni edhe më tutje”, tha ajo, duke shtuar se në këtë kurs duhet të këtë më shumë vëmendje dhe t’i jepet rëndësi komunikimit mes kirurgëve dhe patologëve.

Faza e 2. Modulit iu kushtua: “Trajtimi bashkëkohor i hernive të murit Abdominal”, me ligjërues Prof. Dr. Halit Maloku. Ai shpjegoi definicionin duke theksuar se herni abdominale quhet dalja e organeve abdominale jashtë kavitetit abdominal, përmes defekteve të lindura ose të fituara, të murit abdominal në një qese peritonale anormale, pa prishje të tërësisë së lëkurës.

Në ndërkohë, specializantët ishin të kënaqur me prezantimin e këtij moduli, dhe shkëmbyen shumë pyetje meqë interesimi për temën në fjalë ishte i madh.

Faza 2 – Edukimi Bazik, është krijuar për t’u mësuar specializantëve 10 aftësi thelbësore kirurgjikale në fazat e hershme të trajnimit të tyre. Kjo kurrikulë është ridizajnuar kohët e fundit për edukatorët dhe specializantët, studentët, në mënyrë që të jetë më ndërvepruese, e përshtatshme, si dhe më gjithëpërfshirëse duke realizuar çdo simulim përkatës.

Ky kurs, në të cilin morën pjesë mbi 50 specializantë, është mbajtur në Amfiteatrin e Telemjekësisë, dhe i njëjti do të vazhdojë të mbahet çdo dy javë deri në fund të muajit janar të viti 2024. /Telegrafi/

Read Entire Article