FOTO/ Rikthehen tensionet në veri, grupi i armatosur shkëmben zjarr me policinë

11 months ago 16
Reklamë

Veriu i Kosovës i është rikthyer tensioneve, të cilat kulmuan në orët e para të mëngjesit të së dielës. Një rreshter i Policisë së Kosovës u vra nga një sulm me armë zjarri, ndërsa dy të tjerë u plagosën.

Ngjarja e rëndë vuri në lëvizje autoritetet e Kosovës, si dhe forcat e KFOR. Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të paktën 30 persona të armatosur rëndë, janë futur brenda Manastirit të Banjskës, dhe po shkëmbejnë zjarr me policinë.

Në fotot e publikuara, personat e armatosur shfaqen të veshur me uniforma ushtarake, të cilat priten të emërtohen nga ekspertët se kujt i përkasin. Gjithashtu, pranë personave të armatosur dhe maskuar, dallohen edhe automjete të blinduara, por pa targa.

Autoritetet e Kosovës theksojnë se sulmuesit nuk janë amatorë, por bëhet fjalë për ushtarë profesionistë. Prishtina zyrtare akuzon Beogradin si iniciues dhe financues të këtij sulmi.

Kurti thekson se Kosova është e vendosur për paqe, por kjo nuk mund të arrihet derisa personat e armatosur të dorëzohen.

Nga ana tjetër, ndërkombëtarët kanë dënuar aktin dhe kanë kërkuar që palët të ruajnë qetësinë dhe të vendosin paqe në veri.

Rreshteri i vrarë është identifikuar si Afrim Bunjaku, i cili ra në detyrë dhe la pas tre fëmijë.

Read Entire Article