Franca ndalon shitjet e iPhone 12 për shkak të niveleve të rrezatimit

1 year ago 60
Reklamë

Franca ka urdhëruar Apple të ndalojë shitjen e iPhone 12 për emetimin e tepërt të rrezatimit elektromagnetik.

Të martën, mbikëqyrësi francez që drejton frekuencat e radios, i kërkoi gjithashtu gjigantit të teknologjisë që të rregullonte telefonat ekzistues. ANFR e ka këshilluar Apple që nëse nuk mund ta zgjidhë problemin nëpërmjet një përditësimi të softuerit, duhet të tërheqë çdo iPhone 12 të shitur në vend.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka tentuar më parë të zbusë frikën rreth rrezatimit të emetuar nga telefonat celularë. OKB në faqen e internetit shprehet se nuk ka asnjë provë për të arritur në përfundimin se ekspozimi ndaj fushave elektromagnetike të nivelit të ulët, është i dëmshëm për njerëzit. iPhone 12 u lëshua për herë të parë në shtator 2020 dhe ende shitet në mbarë botën.

Apple tha për BBC-së se kundërshton rishikimin e ANFR-së dhe se rezultatet laboratorike tregojnë se pajisja është në përputhje me të gjitha rregullat përkatëse. Ai tha se iPhone 12 është në përputhje me rregulloret për nivelet e rrezatimit në mbarë botën. Ministri dixhital i Francës, Jean-Noel Barrot i tha gazetës franceze Le Parisien se vendimi ishte për shkak të niveleve të rrezatimit mbi pragun e pranueshëm, sipas Reuters.

Ai tha se ANFR zbuloi se shkalla e përthithjes specifike e iPhone 12 (SAR) ishte mbi atë që lejohet ligjërisht.

“Apple pritet të përgjigjet brenda dy javësh. Nëse ata nuk dëshirojnë ta bëjnë këtë, unë jam i përgatitur të urdhëroj një tërheqje të të gjithë iPhone 12 në qarkullim. Rregulli është i njëjtë për të gjithë, përfshirë gjigantët dixhitalë”, tha ai.

Lajmi u publikua të martën në Francë, në të njëjtën ditë kur Apple zbuloi iPhone 15 të ri. Telefoni i ri është i pari që nga viti 2012 që ka një port alternativ karikimi dhe Apple thotë se do të shesë një përshtatës në mënyrë që njerëzit të mund të përdorin kabllot e tyre ekzistuese.

Top Channel

Read Entire Article