Gjermania dhe Izraeli nënshkruan marrëveshjen “historike” të mbrojtjes raketore prej 3.5 miliardë dollarësh

11 months ago 12
Reklamë

Gjermania ka nënshkruar një marrëveshje për të blerë sistemin e raketave hipersonike Arrow 3 të prodhuar nga Izraeli, i cili do të bëhet një pjesë kyçe e mbrojtjes së Evropës kundër sulmeve ajrore.

Nënshkrimi i marrëveshjes në Berlin të enjten ishte një “ditë historike” për të dy vendet, tha ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius në një konferencë shtypi së bashku me homologun e tij izraelit Yoav Gallant, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Me vlerë rreth 3.5 miliardë dollarë (3.3 miliardë euro), shitja është marrëveshja më e madhe ndonjëherë për industrinë ushtarake të Izraelit.

Dhe siç ka thënë më tej Pistorius, sistemi Arrow 3 do ta bënte “mbrojtjen ajrore gjermane të gatshme për të ardhmen”.

Gjermania ka udhëhequr një shtytje për të forcuar mbrojtjen ajrore të NATO-s në Evropë pas agresionit të plotë në Ukrainë nga Rusia, duke u kërkuar aleatëve që të blejnë sisteme parandaluese së bashku.

“Ne mund të shohim me sulmet e përditshme ruse në Ukrainë se sa e rëndësishme është mbrojtja kundërajrore”, ka theksuar Pistorius.

Nënshkrimi i marrëveshjes ishte një “ngjarje e rëndësishme për çdo hebre”, ka thënë ndër tjerash Gallant.

“Vetëm 80 vjet nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, megjithatë Izraeli dhe Gjermania bashkojnë forcat sot në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt”.

Sistemi u zhvillua dhe u prodhua nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara dhe shitja duhej të miratohej nga Uashingtoni përpara se të finalizohej. /Telegrafi/

Read Entire Article