Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha sot se qeveria po përgatit një “letër të rëndësishme” për një vend të rëndësishëm dhe ndërhyrjen e tij në procesin zgjedhor në vendin e tij.
Duke iu përgjigjur një gazetari të televizionit Pink qw mbwshtet nga qeveria e tij dhe i njohur për koordinimin e pyetjeve që do të bëhen në konferencë me kabinetin e tij, Vuçiq iu referua kritikave nga Gjermania në lidhje me procesin zgjedhor në Serbi, transmeton Telegrafi.
Ai tha se autoritetet shtetërore janë duke përgatitur një dokument të rëndësishëm, gjegjësisht një deklaratë për ndikimin e një vendi të rëndësishëm dhe ndërhyrje në procesin zgjedhor në Serbi në mënyrën më brutale deri më tani, siç tha ai.
“Besoj se për rreth dhjetë ditë deri në Vitin e Ri do të përfundojë diku, dhe më pas para Krishtlindjeve Ortodokse do të mund ta dërgojmë në të gjithë botën për të parë se si kryhet kjo lloj ndërhyrje në një proces që duhet të i përkasin sovranisht një vendi të pavarur”, ka theksuar Vuçiq.
Se diçka me zgjedhjet serbe nuk është ashtu siç duhet, ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, e cila në mesazhin e saj nënvizoi se ajo që u pa gjatë ditës së zgjedhjeve nuk ishte e pranueshme për një vend që ka statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.
#Serbia has voted, but @osce_odihr reports misuse of public resources, voter intimidation and cases of vote buying. This is unacceptable for a country with EU candidate status.
— GermanForeignOffice (@GermanyDiplo) December 18, 2023
“Serbia votoi, por OSBE dhe ODIHR raportojnë keqpërdorim të burimeve publike, frikësim të votuesve dhe raste të blerjes së votave. Kjo është e papranueshme për një vend me statusin e kandidatit për anëtarësim në BE”, tha ministria gjermane në rrjetin social X.
Stefan Senach, kreu i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që vëzhgoi zgjedhjet në Serbi, tha se e “vërteta në vendin tonë është disi tronditëse, se zgjedhjet nuk ishin të drejta, se votat u manipuluan dhe se e gjitha është një problem për një vend që dëshiron të ecë në rrugë demokratike”.
“Ajo që pamë ishte një fushatë e tërë e dominuar nga presidenti. Kjo nuk është punë e presidentit. Presidenti është një person neutral që duhet të garantojë për vendin dhe të gjithë njerëzit. Por presidenti aktual i menaxhoi zgjedhjet dhe ishte kandidat në të gjitha nivelet, pavarësisht nëse ishte fshati apo e gjithë republika”, tha Senah në N1. /Telegrafi/