Hetime paralele kundër Radoiçiç, por në drejtime të kundërta

11 months ago 39
Reklamë
20:49 02/10/2023

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës tha se ka nisur hetimet për sulmin në Banjskë dhe se, aktualisht, është në proces të mbledhjes së informatave dhe dëshmive në lidhje me këtë rast.

Hetime paralele u paralajmëruan edhe nga Prokuroria e Serbisë, por nuk është e qartë nëse dy institucionet do të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën.

Nga Bashkimi Evropian – që ndërmjetëson përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi – thanë se Kosova ka mandat për ta hetuar sulmin në Banjskë dhe se Serbia e ka obligim të bashkëpunojë me të, pa kushte.

Më 24 shtator, grupe të armatosura sulmuan policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit – pjesa veriore e Kosovës – duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues të nacionalitetit serb.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, i cili vinte nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës.

Autoritetet kosovare thanë se udhëheqja shtetërore e Serbisë qëndron prapa Radoiçiqit, por Serbia mohoi se ka gisht në sulm.

Nuk ka ende kërkesë për ekstradim

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, konfirmoi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet e Kosovës do të kërkojnë ekstradimin e Radoiçiqit dhe të të gjithë të përfshirëve në sulmin në Banjskë.

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se, deri më tash, prokuroria që merret me rastin e sulmit në Banjksë, nuk ka bërë ndonjë kërkesë për ekstradimin e Radoiçiqit dhe të tjerëve nga Serbia në Kosovë.

“Në momentin që do të kemi kërkesa për çështje ndërkombëtare apo për çfarëdo bashkëpunimi tjetër, sigurisht që do t’i adresojmë tek institucionet përgjegjëse, në këtë rast te Serbia, pa vonesa, sipas përgjegjësisë që e kemi”, tha Haxhiu për Radion Evropa e Lirë.

Radoiçiq do të mund të ekstradohej nëse Serbia do ta njihte Kosovën si shtet sovran dhe do të kishte marrëveshje ekstradimi me të.

Vendi fqinj, sipas Haxhiut, ka refuzuar deri më tash çfarëdo bashkëpunimi me Kosovën dhe ndërhyrja ndërkombëtare, shton ajo, do të jetë e domosdoshme.

BE: Kosova ka mandat për hetime, Serbia të bashkëpunojë

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha të hënën se autoritetet e Kosovës kanë mandat për hetimin e sulmit në Banjskë dhe se Serbia e ka obligim të bashkëpunojë, pa kushte.

Ai tha se BE-ja është në pritje të rezultateve të plota të hetimeve, që ta ketë një pasqyrë të qartë të asaj që ka ndodhur.

Në bazë të asaj, shtoi Stano, vendet anëtare do të marrin vendime, përfshirë edhe ndonjë masë të mundshme kundër Serbisë.

As Prokuroria e Serbisë, as Ministria e Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigjën pyetjes së REL-it nëse do të bashkëpunojnë me Kosovën në hetime.

Serbia po zhvillon një hetim paralel të sulmit në Banjskë.

Edhe katër ditë pasi pranoi publikisht përgjegjësinë për sulmin, Radoiçiq, sipas informacioneve të disponueshme, është në liri.

Më 30 shtator, ai dha deklaratë në polici “në cilësinë e qytetarit”, ndërsa rastin e mori përsipër Prokuroria e Lartë Publike në Beograd.

Nuk është e qartë nëse dhe për çfarë vepre do të akuzohet me ligjin e Serbisë – vendit që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe as institucionet e saj./REL


Read Entire Article