Sipas Institutit për Studimin e Luftës (ISW), vetëm mbështetja e vazhdueshme perëndimore për Ukrainën mund të ndalojë presidentin rus, Vladimir Putin të arrijë objektivat e tij ushtarake në territoret ukrainase.
Në një përditësim të fundit mbi konfliktin në Ukrainë, ISW tha se ushtria ruse ka dështuar në përpjekjet e saj për të shtyrë Ukrainën drejt kapitullimit, duke theksuar se mbështetja e vazhdueshme perëndimore është elementare për të frenuar synimet maksimaliste të Kremlinit.
Instituti gjithashtu shtoi se Kremlini po ndjek objektiva të pacaktuara për pushtimin territorial në Ukrainë, të cilat nuk përjashtojnë pushtimet e mëtejshme territoriale ruse.
ISW me këto deklarata ka lënë të nënkuptojmë se ndërprerja e ndihmës perëndimore për Ukrainën “ka të ngjarë ta dërgojë atë në kapitullim”, duke mos pasur mundësi e aftësi ta mbajë jashtë territoreve të saj ushtrinë ruse.
“Ndihma e vazhdueshme perëndimore fuqizon forcat ukrainase për të zmbrapsur sulmet ruse, dhe për të çliruar sa më shumë territore”, shtoi instituti, raporton skynews.
Ndërsa lufta është ende në zhvillim, humbjet njerëzore dhe materiale në ato territore vetëm po rriten, duke detyruar mijëra njerëz të largohen nga zonat e konfliktit.
Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit të kaluar duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale. /Telegrafi/