“Inteligjenca artificiale, potencial për dëme katastrofike”/ Elon Musk: Në një të ardhme me AI, nuk na nevojitet puna

10 months ago 39
Reklamë

Elon Musk gjatë një bisede me kryeministrin britanik Rishi Sunak mbi rreziqet dhe mundësitë e inteligjencës artificiale, e shpalli AI “një nga forcat më shkatërruese në histori”.

“Inteligjenca artificiale ka shumë të ngjarë të jetë një forcë për të mirën. Por probabiliteti që të shkojë keq nuk është zero për qind”, tha Musk në mbyllje të samitit inaugurues të Sigurisë së AI në Mbretërinë e Bashkuar.

Të dy burrat folën në një bisedë të stilit të intervistës nga një skenë në Lancaster House, një vend qeveritar në Londrën qendrore që përdoret shpesh për qëllime diplomatike, përpara se biseda të hapej për pyetjet e gazetarëve.

Musk ishte i pranishëm gjatë gjithë eventit dy-ditor të mbajtur kryesisht në Bletchley Park, selia e programit të thyerjes së kodeve të Forcave Aleate gjatë Luftës së Dytë Botërore, së bashku me Zëvendës Presidentin e SHBA Kamala Harris, CEO-n e OpenAI Sam Altman dhe politikanë të tjerë të shquar dhe liderë globalë të teknologjisë. Në këtë ngjarje ishin të pranishëm edhe zyrtarë kinezë.

Jam i lumtur që shoh në këtë pikë që njerëzit po e marrin seriozisht AI”, tha Musk për Sunak të enjten. “Faleminderit për këtë samit. Mendoj se do të mbetet në histori si mjaft e rëndësishme.”

Musk shpalosi disa parashikime për AI, duke përfshirë një të ardhme ku nuk do të nevojiteshin punë dhe shoqëria me AI do të ishte një nga format më të larta të miqësisë.

Në detyrë për pak më shumë se një vit, Sunak i ka rikthyer njëfarë qetësie politikës britanike, por gjithashtu është përballur me sfida për prejardhjen e tij elitare, pasi ka studiuar në universitetet Winchester College, Oxford dhe Stanford. Para se të hynte në politikë, ai punoi për banka dhe fonde mbrojtëse, përfshirë Goldman Sachs.

Në ditën e parë të eventit të AI, më shumë se 25 vende dhe Bashkimi Evropian nënshkruan deklaratën Bletchley, duke rënë dakord të punojnë së bashku për të krijuar një qasje të përbashkët për mbikëqyrjen në përpjekjet për të vendosur teknologjinë e AI “me qendër njeriun, për ta bërë më të besueshme dhe të përgjegjshme”, pa lënë pa nënvijëzuar “potencialin për dëm serioz, madje edhe katastrofik”, për të cilin shumë udhëheqës të teknologjisë kanë shprehur shqetësim.

Musk dhe liderët botërorë

Biseda e Musk me Sunak është një nga bisedat e shumta me liderët botërorë, të cilëve u është bashkuar CEO i SpaceX dhe Tesla në muajt e fundit. Ai tregoi ndikimin e tij në rritje në çështjet gjeopolitike, si dhe në sektorë të ndryshëm teknologjikë dhe industrialë.

Musk u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në shtator, disa javë para shpërthimit të luftës Izrael-Hamas. Netanyahu u takua me Musk për të diskutuar mbi inteligjencën artificiale dhe antisemitizmin në platformën e mediave sociale X në pronësi të Musk, e njohur më parë si Twitter, në një kohë që Musk po luftonte me Lidhjen Anti-Shpifje të B’nai B’rith (një organizatë joqeveritare hebreje ndërkombëtare me bazë në Nju Jork e specializuar në ligjin për të drejtat civile dhe lufton antisemitizmin dhe ekstremizmin).

Musk gjithashtu u ul me presidentin francez Emmanuel Macron shumë herë gjatë vitit të kaluar. Emra të tjerë të mëdhenj që kohët e fundit i dhanë kohë Musk-ut në programin e tyre përfshijnë kryeministren italiane Giorgia Meloni në qershor, kryeministrin indian Narendra Modi në qershor dhe presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan në shtator.

Në eventin e së enjtes, Musk vuri në dukje se shtetet që janë një superfuqi sa i përket inteligjencës artificiale si Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe “janë në të njëjtin mendim për sigurinë e AI, kjo është një gjë e mirë”. Ai sugjeroi se edhe fuqitë e tjera globale si Kina duhet gjithashtu të mbeten të përfshira në diskutime.

Musk e krahasoi AI me një xhind magjik dhe vuri në dukje se përrallat me xhindët magjikë që plotësojnë dëshirat “nuk përfundojnë mirë“, ndaj njerëzit “të kenë kujdes se çfarë dëshirojnë”.

Musk është bërë gjithnjë e më shumë një objekt i çështjeve ndërkombëtare, duke bërë tituj jo vetëm për takimet e tij me krerët e shteteve, por edhe për ofrimin e shërbimeve satelitore Starlink të SpaceX në rajonet e shkatërruara nga lufta.

Top Channel

Read Entire Article