Kampionët munden nga Gostivari, Shkëndija ndalet me barazim përballë Voska Sporti

1 year ago 72

Kampionët në fuqi të Superligës së Maqedonisë së Veriut, Struga Trim Lum janë mundur në udhëtim nga Gostivari, përderisa Shkëndija sërish është ndalur me barazim në ndeshjet e luajtura sot në kuadër të xhiros së 12-të të kampionatit.

Skuadra e Shpëtim Duros u mposht nga Gostivari, me këta të fundit që pjesën e parë e mbyllën me avantazh 2:0, ku autor të golave ishin Kehinde dhe Potuk, ndërsa në pjesën e dytë Struga vetëm ngushtoi shifrat në 2:1 me golin e Kompaores.

Shkëndija e Tetovës është ndalur me barazim në shtëpi, duke barazuar 1:1 me Voska Sportin. Mysafirët nga Ohri shënuan të parët në fillim të pjesës së dytë me anë të Medin Bajramit, përderisa kuqezinjtë barazuan përmes supergolit të Adenis Shalës.

Skuadra e Ardian Nuhiut u mundua deri në fund që të gjejë edhe golin e fitores, por nuk arritën që të finalizojnë, duke u ndarë kështu të dyja skuadrat me nga një pikë nga ky takim.

Shkupi ka marrë fitore “komode’, pasi në Çair triumfoi përballë Rabotniçkit me rezultatin 3:0. Golat për triumfin e Shkupit i shënuan Kuka dhe dy herë Queven. Në dy takimet tjera, Vardari mundi Brera Strumicën me rezultat 1:0, përderisa ndeshja ndërmjet Makedonija Gjorçe Petrovit dhe Tikveshit u mbyll me barazim 1:1.

Xhiroja e radhës apo e 13-ta në Superligën e Maqedonisë është në program me 5 nëntor./Telegrafi/

Read Entire Article