Katër ushtarë rusë akuzohen për krime lufte, për torturimin e një shtetasi amerikan në Ukrainë

10 months ago 23

Katër ushtarë rusë janë akuzuar për krime lufte, për rrëmbimin dhe torturimin e dyshuar të një shtetasi amerikan që jetonte në Ukrainë, thanë zyrtarët amerikanë.

Siç raporton BBC, prokurorët amerikanë thonë se shtetasi amerikan jetonte në Ukrainë që nga viti 2021, dhe nuk kishte luftuar apo marrë pjesë në luftë, transmeton Telegrafi.

Ai u mbajt për rreth 10 ditë në prill të vitit 2022, dhe dyshohet se ishte objekt tallje dhe rrahej. Kjo është hera e parë që SHBA ka ngritur akuza sipas ligjit të saj për krimet e luftës.

Dy nga personat e akuzuar u emëruan si oficerë komandues, Suren Seiranovich Mkrtchyan dhe Dmitry Budnik.

Dy të tjerët ishin ushtarë të rangut më të ulët të quajtur Valerii dhe Nazar, por mbiemrat e tyre nuk dihen, sipas dokumenteve të gjykatës.

Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland tha se ky ishte “një hap i rëndësishëm drejt përgjegjësisë për luftën e paligjshme të regjimit rus në Ukrainë”.

Katër ushtarët janë ende të lirë, kurse SHBA-ja nuk ka traktat ekstradimi me Rusinë, duke i bërë akuzat disi simbolike.

Megjithatë, rusët që përballen me akuza penale në SHBA, janë marrë më parë në paraburgim kur kanë udhëtuar jashtë shtetit.

Krimet e supozuara ndodhën pasi forcat ruse pushtuan fshatin e vogël Mylove, në lumin Dnipro në juglindje të Ukrainës. /Telegrafi/

Read Entire Article