Por kritikët thonë se ngritja në sipërfaqe e rrënojës së San José, anija e fundosur gjatë betejës me britanikët në vitin 1708, mund të dëmtojë trashëgiminë kulturore të vendit.
Qeveria kolumbiane ka njoftuar gjithsesi se do të tentojë ngritjen e objekteve nga rrënoja e luftanijes së lashtë San José, pasi besohet se ngarkesa e saj vlen miliarda dollarë.
Objekti 300-vjeçar njihet gjithashtu si “rrënoja më e çmuar detare”, dhe ka qenë objekt debatesh si nga ana arkeologjike ashtu dhe për vlerën ekonomike.
Ministri i kulturës në Kolumbi, Juan David Correa, tha se tentativat e para të rekuperimit do të nisin në prill ose në maj, në varësi të kushteve detare në zonën e Karaibeve.
Correa zotohej se operacioni do të ishte një ekspeditë shkencore.
“Kjo është një rrënoje arkeologjike dhe jo një thesar,” tha Correa pas një takimi me presidentin Gustavo Petro, teksa më tej shtonte: “Kjo është një mundësi që ne të bëhemi një vend avangardë për kërkimet nënujore arkeologjike”.
Anija llogaritet se ka në brendësi 11 milionë monedha floriri e argjendi, gurë të çmuar dhe ngarkesa të tjera nga kolonitë spanjolle, të cilat nëse rekuperohen arrijnë në disa miliarda dollarë vlerë.
Correa tha se materialet e nxjerra tashmë nga rrënoja, mundësisht me robotë apo nëndetëse, do të analizohen dhe bazuar në rezultatet do të kryhet dhe misioni i dytë.
San José u fundos gjatë betejës me mjetet britanike në detin e Karaibeve më shumë se 300 vjet më parë.
Rrënoja është zbuluar në 2015 dhe prej atëhere ka qenë objekt debatesh ligjore e diplomatike.
Në 2018 Kolumbia hoqi dorë nga planet e kërkimit pas një konflikti me një kompani private që pretendonte të drejtat.
Ndërsa në 2018 OKB i bëri thirrje vendit të “mos shfrytëzonte komercialisht thesarin” por ta mbronte prej vlerës historike.
Objekti ka qenë më parë i kontestuar nga SHBA, Kolumbia e Spanja që pretendojnë të drejtat e thesarit të fundosur, shkruan The Guardian.
San José ishte 45 metra e gjatë dhe e armatosur me 60 topa, të cilët u gjetën në gjendje të mirë në pamjet e eksplorimit.
Top Channel