Konferenca Kosovë-Serbi/ Rama: Palët të ulen në tryezë, po luhet me zjarrin e nacionalizmit

1 year ago 32
Reklamë

Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar lajm të mirë idenë e një konferencë të lartë për zbatimin e Planit Franko-Gjerman mes Kosovës e Serbisë.

Rama shprehet se kjo konferencë do të shërbente në marrëdhënien mes dy vendeve, ndërsa shton se rajoni nuk mund të merret zvarrë nga një konflikt, ku po luhet me ndjenjën e nacionalizmit.

“Një lajm i mirë progresi i idesë së konferencës të nivelit më të lartë, pa afat, deri në arritjen e marrëveshjes së plotë për zbatimin e Planit Franko-Gjerman mes Kosovës e Serbisë, çka sot e mbështeti vetë Presidenti Charles Michel.

Rajoni ynë nuk mund të merret zvarrë nga një konflikt krejt i kotë, absurd, ku luhet me zjarrin e nacionalizmit duke prodhuar çdo ditë arsye për sherr, me veprime e mosveprime, akuza e kundërakuza, të cilat po e degradojnë përditë situatën në Veriun e Kosovës dhe po minojnë vetë ngrehinën e ndërtuar me aq shumë përpjekje të bashkëpunimit rajonal”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë shprehet se ky është një proces jetik që duhet çuar përpara nga të gjithë.

Rama e konsideron situatën e krijuar në veri të Kosovës si një film bardhezi të Ballkanit të vjetër, i cili mund të argëtojë vetëm spektatorët cinikë.

“Sot kur në Bruksel ka hyrë në axhendën e punës së Komisionit përgatitja e një plani të ri mbështetjeje financiare dhe ekonomike për vendet e rajonit tonë; kur Shqipëria përgatitet të presë Samitin e Parë të Procesit të Berlinit në Ballkanin Perëndimor; kur ne duhet të jemi të gjithë të bashkuar, për ta çuar përpara këtë proces jetik për të ardhmen tonë të përbashkët europiane, duke forcuar lidhjet tona, ekonomitë tona, tregun tonë të përbashkët, Veriu i Kosovës po i ofron botës shfaqjen e një filmi bardhezi të Ballkanit të vjetër, i cili mund të argëtojë vetëm spektatorët cinikë në Lindjen kufijve të Bashkimit Europian”, thekson ai.

Ndër të tjera, Rama i bën thirrje qeverisë së Kosovës që të bëjë të ditur përmes veprave që ky rajon i përket procesit të Berlinit.

“Autoritetet e Kosovës duhet ta dëshmojnë sot, me vepra e jo me fjalë, se ky rajon i përket Procesit të Berlinit jo ëndrrave të Kremlinit dhe Kosova nuk mund të jetë pëlhura e pavetëdijshme mbi të cilën projektohen ato ëndrra, ndërkohë që atyre u duket se po pikturojnë një tablo heroike për historinë”, përfundon Rama.

Read Entire Article