Të hënën, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it, si dhe me Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Pas këtij takimi, kanë reaguar ambasadorët dhe Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, përmes një postimi në Bluesky, ka theksuar nevojën për formimin e shpejtë të një qeverie të re.
“Kosovës i duhet një qeveri stabile që është e aftë të marrë vendime. Më mirë dje se nesër. Presin shumë detyra të rëndësishme vendore dhe ndërkombëtare dhe nevojitet përparim në çështjet jetike. Ky ishte mesazhi kryesor që zëvendësi im, së bashku me kolegët e QUINT-it, përcollën në një takim me kryeministrin në detyrë Kurti”, ka shkruar Rohde.
Ndërkaq, Ambasada e Italisë në Kosovë, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se ambasadorët kanë theksuar nevojën për formimin sa më të shpejtë të një qeverie të re.
“Sot ambasadorët e QUINT-it janë takuar me kryeministrin në detyrë Kurti. Është theksuar nevoja për të formuar sa më shpejt një qeveri të re, që Kosova të ecën para drejt prioriteteve kyç si avancimi drejt integrimit Euro-Atlantik”, ka njoftuar nga Ambasada e Italisë në Kosovë.
Të njëjtën thirrje e ka bërë edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili në një postim në Facebook ka theksuar se e ka inkurajuar Kurtin për formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re.
“Sot pasdite e takova kryeministrin në detyre Albin Kurti me ambasadorët e tjerë të QUINT-it. E inkurajova për formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re për të vepruar në interes të Kosovës dhe popullit të saj duke bërë progres në çështjet jetike, siç është zhbllokimi i financimit dhe procedimi drejt integrimit euro-atlantik”, ka shkruar Hargreaves në Facebook.
Të njëjtin qëndrim ka shprehur edhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, i cili në një postim në platformën “X” ka shkruar:
“Sot, ambasadorët e QUINT-it u takuan me kryeministrin në largim Kurti. Për progres në integrimin evropian të Kosovës, duhet një qeveri stabile dhe funksionale. Status-quo aktuale nuk i sjell dobi askujt”, ka shkruar Orav.
Takimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it, si dhe me Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, është pritur pozitivisht nga njohësit e çështjeve politike. Sipas tyre, mesazhet e dala pas këtij takimi përçojnë sinjale të qarta dhe të rëndësishme për të ardhmen politike të vendit.
Ymeri flet për takimin e Kurtit
Eshref Ymeri, në një prononcim për “Bota sot”, e ka mirëpritu takimin e kryeministrit Kurti, duke thënë se tre muaj pas zgjedhjeve, Kuvendi ende nuk është konstituuar, gjë që dëmton imazhin e vendit në sytë e Evropës.
Eshref Ymeri
Gjithashtu, ai e ka kritikuar mungesën e bashkëpunimit me opozitën dhe këmbënguljen për kandidaturën e Haxhiut.
Sipas tij, shqiptarët po tregojnë paaftësi për të ndërtuar një shtet ligjor.
“Kanë kaluar tre muaj që nga dita e zgjedhjeve, por konstituimi i Kuvendit nuk është arritur ende. Kjo situatë krize paradoksale nuk e nderon Republikën e Dardanisë në sytë e opinionit evropian. Kryeministri Kurti ka bërë shumë mirë për zhvillimin e atyre takimeve, por megjithatë Ai duhej të mundohej ta zgjidhte krizën në bashkëpunim me opozitën, duke hequr dorë nga kandidatura e Zonjës Albulena Haxhiu dhe të propozonte një tjetër kandidaturë. Ne shqiptarët, moj Zonjë e nderuar dhe e respektuar, po i tregojmë mbarë botës se nuk e gjejmë dot gjuhën e përbashkët për ndërtimin e një shteti ligjor. Shikoni se ç 'situatë dramatike u krijua në Shqipëri pas zgjedhjeve të 11 majit. Vjedhja e votave është bërë sipas modelit rus të Putinit: shumë votues të shitur, mercenarë të kryetradhtarit Rama, janë paraqitur nëpër qendrat e votimit me fletë votimi të gatshme në xhep, të plotësuara paraprakisht. Të vjen keq deri në dëshpërim të thellë ta pranosh, por është fakt, që, në Gazetën New York Times të datës 21 maj 1911, shkruhej: “shqiptarët nuk e kanë idenë e shtetit”,” ka potencuar Ymeri.
Gjithashtu, ai mori si shembull edhe rastin e zgjedhjeve në ShBA.
“Prandaj ne shqiptarët duhet të shkundemi mirë nga interesat personale, nga smira dhe egoizmi, nga mëria ndaj njëri-tjetrit dhe të ecim në një hap me kombet e qytetëruara. Ju e dini shumë mirë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një popullsi prej më shumë se 300 milionë banorë, por atë ditë që bëhen zgjedhjet, të nesërmen në mëngjes jepet rezultati i tyre përfundimtar”, ka deklaruar Ymeri.
Mehazi: Sinjale të qarta nga ambasadorët
Ndërkaq, profesori Sulejman Mehazi, ka theksuar se ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë kanë bërë thirrje për krijimin urgjent të një qeverie stabile.
Sulejman Mehazi
Tutje, Mehazi ka vlerësuar se Lëvizjet diplomatike të Kurtit dhe presidentes Vjosa Osmani japin shpresë se në seancën e radhës mund të zgjidhet Albulena Haxhiu si kryetare e Kuvendit, duke zhbllokuar proceset institucionale.
“Pas pesëmbëdhjetë seancave të dështuara për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Albin Kurtit, kryetarit të partisë fituese LVV-së, s'i ka mbetur gjë tjetër, përveç që të kërkojë ndihmë nga ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatik të shteteve të fuqishme të QUINT-it për shkak gjëmës paralizuese institucionale të Kosovës. Republikë e vetme që në botën e sotme ka mbetur pa kokë qeverisëse që nga 11 shkurti e deri më sot.
Ndërhyrja e shteteve të QUINT-it dhe e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, takimi i Kurtit me ambasadorët e BE-së dhe QUINT--it, takimi i partive parlamentare me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, dhe deklarata e ambasadorit gjerman dhe të ambasadorit të Francës në Kosovë, Oliver Guerot, të cilët kërkojnë nga partitë politike parlamentare të Kosovës që sa më parë të "krijohet një qeveri stabile që është e aftë të marrë vendime qeverisëse jetike" për qytetarët dhe Republikën e Kosovës. Pra, lëvizjet e fundit diplomatike të kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit dhe presidentes, Vjosa Osmanit, japin shpresa se në seancën e radhës do lëvizin, do gjallërohen proceset institucionale me zgjedhjen e Albulena Haxhiut; Kryetare e Parlamentit të Kosovës.
Gjithashtu, profesori e ka komentuar edhe thirrjen e ambasadorit gjermani, për të cilën është shprehur se ka dhënë sinjale të qarta.
“Në anën tjetër deklarata e ambasadorit gjerman se Kosovës: “i nevojitet një qeveri stabile që është e aftë të marrë vendime." jep porosi sinjalesh të qarta, se nëse për LVV-ja është e pamundur të krijojë qeveri stabile, dhe partitë opozitare nuk pajtohen të bashkëpunojnë me partinë fituese LVV-në të Kurtit atëherë mund të ketë zgjedhje të reja të jashtëzakonshme në Kosovë”, ka përfunduar Mehazi.