“Kurti në Gjermani konfirmoi mbështetjen e madhe të diasporës, partitë tjera shtojnë vizitat në diasporë”

2 hours ago 17

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para pak ditësh ka qëndruar në Gjermani, ku është takuar me bashkatdhetarët.

Kurti ka shprehur mirënjohjen ndaj mërgatës për kontributin e pandërprerë për Kosovën.

“Ne si shtet, si republikë dhe si histori, ju jemi thellësisht mirënjohës. Gjermania ka qenë shtëpia ku ju keni lulëzuar, duke e mbajtur gjallë frymën e atdheut dhe mbijetesën e kombit. Ndihma gjermane ka qenë vendimtare në çlirimin e Kosovës. Jo vetëm në aspektin diplomatik dhe ekonomik, por edhe në atë ushtarak. Ne nderojmë Gjermaninë dhe ju nderojmë juve, për mënyrën sesi keni kontribuar në shoqërinë e saj, duke ruajtur njëkohësisht lidhjet e forta me atdheun tuaj”- ka thënë kryeministri.

Ai përmendi disa prej sukseseve gjatë mandatit qeverisës ku sipas tij,” janë dyfishuar eksportet e më shumë se dyfishuar investimet e huaja, gjersa kemi rritur buxhetin e shtetit e ulur borxhin publik”.

“Po ashtu kemi investuar në fusha kyçe si mbrojtja e siguria, arsimi e shëndetësia, bujqësia e teknologjia”- ka thënë Kurti, në tubimin e mbushur me flamuj kombëtar dhe me pankarta të Lëvizjes Vetëvendosje.

Megjithatë, këto takime të kryeministrit Kurti, nga opozita po konsiderohen si fushatë për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Mirëpo, cili pritet të jetë vullneti i diasporës në zgjedhjet e ardhshme, duke qenë se në të kaluarën diaspora ishte një faktor i rëndësishëm që i siguroi fitoren e madhe të Vetëvendosjes? A mund të jetë zbehur vullneti i diasporës apo është i njëjti?

Majkovci: Vizitat dhe angazhimet e politikanëve në diasporë janë rritur

Lidhur me këtë ҫështje, ka folur për ‘Bota sot’, politologu dhe njohësi i ҫështjeve politike, Fahredin Majkovci.

Image

Fahredin Majkovci

Ai thotë se, pjesëmarrja e diasporës në zgjedhjet parlamentare të Kosovës më 14 shkurt 2021 ishte një nga faktorët kyç që çoi në fitoren e Vetëvendosjes (VV).

“Rritja e votave nga diaspora, nga rreth 35,000 në zgjedhjet e 2019 në mbi 100,000 në 2021, u shënua si një ndryshim i madh, ku shumica dërrmuese e këtyre votave mbështetën VV-në. Kjo rritje nuk ishte e rastësishme, por një rezultat i angazhimit afatgjatë të Vetëvendosjes në diasporë, diaspora që historikisht ka pasur lidhje të ngushta me Kosovën dhe ka ofruar mbështetje të fuqishme financiare dhe politike”, vlerëson ai.

Sipas analistit Majkovci, edhe partitë tjera filluan ta shohin votuesin e diasporës me një qasje tjetër, duke shtuar vizitat e angazhimet atje.

“Pas fitores së VV-së në 2021, partitë e tjera politike filluan ta shohin votuesin e diasporës me një qasje më serioze, duke intensifikuar përpjekjet për të tërhequr mbështetje. Vizitat dhe angazhimet e politikanëve në diasporë janë rritur, dhe mbetet të shihet se çfarë rezultatesh do të japin këto përpjekje në zgjedhjet e ardhshme”, thekson ai.

Ai thotë se, kësisoj Vetëvendosja vazhdon të ruajë mbështetjen nga diaspora e kjo u dëshmua në takimet e fundit të Kurtit në Gjermani.

“Në këtë kuadër, Vetëvendosja vazhdon të ruajë një bazë të konsiderueshme mbështetësish në diasporë, siç u pa edhe në takimet e fundit të Kryeministrit Albin Kurti me bashkatdhetarët në Gjermani. Këto takime demonstrojnë vazhdimësinë e komunikimit të VV-së me diasporën dhe mund të lexohen si pjesë e një strategjie për të ruajtur dhe forcuar mbështetjen e tyre në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. Duke marrë parasysh rëndësinë që diaspora ka pasur në zgjedhjet e kaluara, është e arsyeshme të pritet që një pjesë e madhe e diasporës të vazhdojë të mbështesë VV-në edhe në zgjedhjet e ardhshme”, thotë ai.

Duhanaj: Kurti po synon ta vazhdojë propagandën, duke mbajtur tubime elektorale me para të taksapaguesve nëpër Europë

Image

Leon Duhanaj

Po ashtu, lidhur me këtë ҫështje ka folur edhe veprimtari nga diaspora, Leon Duhanaj.

Ndryshe nga parafolësi, Duhanaj kritikon Qeverinë Kurti.

“Albin Kurti me qeverisjen e tij, tashmë po dëshmohet çdo ditë, që është e keqja më e madhe që ka mundur t'i ndodh Kosovës. As armiqtë me të mëdhenj, nuk kishin mund t’ia bënin më keq, se që e bëri Kurti. Tani që po i dalin skandalet, hajnitë, korrupsioni endemik qeveitar, të gjitha në siperfaqe nuk po preferon as të merret me to, por po synon ta vazhdojë propagandën, duke mbajtur tubime elektorale me para të taksapaguesve nëpër Europë”, thekson ai.

Duhanaj thotë se, Kurti dhe qeveria e tij, janë orientuar 100% në fushatë zgjedhore, edhe kur në Kosovë dalin lajme, se Ushtria e Kosovës, ka mbetur pa bukë.

“Madje, partia e Kurtit, bojkoton edhe seancat në Kuvendin e Kosovës, përderisa qeveria është e tëra në fushatë zgjedhore. Fushatë zgjedhore me të gjitha kapacitetet shtetërore e diplomatike, përderisa hajninë e bëjnë edhe në maxhet e qytetarëve me vjedhjen e rezervave shtetërore. Përderisa hajninë e bëjnë edhe pasul e gullash të ushtrisë, e kur u zunë në flagrancë, e lanë ushtrinë pa bukë. Jo, Kurti nuk do të ketë sukses më, sepse shqiptarët e kanë kuptuar se zgjedhja e tij ishte gabimi më i madh. Jo, sepse shqiptarët, nuk ja harrojnë mashtrimet e tij për gjithë këto vite. Jo sepse shqiptarët nuk ja harrojnë deklaratën e tij, se shqiptarët janë mbi 45% analfabet funksional”, vlerëson ai.

Ai thotë se rritja e Vetëvendosjes në mërgatë nuk është e mundur më, derisa partitë tjera tashmë janë organizuar.

“Pra. Kurti, i trajtoi shqiptarët si budallenj dhe nëse ka të tillë që akoma e përkrahin, atëherë i japin të drejtë me bindjet e tij për ta. Por prapëseprapë nuk do t'ia dalë më, sepse partitë tjera tashmë janë organizuar dhe rritja e tyre në mërgatë është tepër e dukshme”, thekson ai.

Read Entire Article