Loja e radhës nga Serbia kundër Kosovës/ Ja pse nuk është tërhequr letra e Brnabiq

15 hours ago 22
Reklamë

Edhe pse në Prishtinë deklaroi se Serbia e kishte tërhequr letrën që ish kryeministrja serbe Ana Brnabiq e kishte dërguar kundër marrëveshjes së Ohrit, Miroslav Lajçak e ka konfirmuar më Bruksel se një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Së paku kështu ka deklaruar zëvendës kryeministri i Kosovës, Bensik Bislimi pas takimit që zhvilloi me emisarin Lajçak.

E lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

"Serbia, qeveria e diplomacia e saj, presidenti Vuçiq kanë mundur që për 13 vite radhazi ta shtyjnë zgjidhjen përfundimtare për zgjidhjen e konfliktit me artifice, të cilat ata i kanë krijuar artificialisht. Një prej këtyre artificeve është edhe mos nënshkrimi i marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, pastaj letra e ish-kryeministres së Serbisë, Anna Brnabiq, se shteti i saj tërhiqet nga Marrëveshja e Brukselit dhe nuk e pranon atë. Vuçiq nuk pranoi të nënshkruante, sepse donte një alibi për ta kundërshtuar marrëveshjen që vetë e pranoi gojarisht. Borrell e dërgoi marrëveshjen në Këshillin Evropian", thotë Bytyçi.

Sipas tij, shefat e shteteve dhe qeverive të BE-së e miratuan atë si të obligueshme për zbatim dhe i dhanë asaj marrëveshjeje fuqi për të kushtëzuar pranimin e Serbisë dhe të Kosovës në BE.

"Në këtë moment Brnabiq dërgoi letrën e tërheqjes ose të mos njohjes së asaj marrëveshjeje. Ky akt ishte hapi i dytë i denigrimit dhe zhvleftësimit të atij investimi aq të madh që Borrell dhe Lajçak bënë për të arritur në një kompromis të palëve. Kompromisin e ka pranuar kryeministri i Kosovës dhe presidentja e vendit. Por jo qeveria dhe presidenti i Serbisë. Është një lojë shahu me njëmijë hile nga ana e Beogradit. Kjo duket qartë", shton Bytyçi.

Siç thotë ai, kjo lojë e fëlliqur ka tërheq edhe disa diplomatë të Brukselit.

"Laçak thoshte para disa ditëve kur ishte në Prishtinë, se Serbia dhe qeveria e saj e kanë tërhequr letrën e mëparshme për të mos e njohur marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit. Në fakt nuk ka asnjë dëshmi për këtë. Askush në Bruksel nuk e ka provuar se kjo letër është tërhequr. Opinioni publik nuk ka parë ndonjë letër të dytë të firmosur e të vulosur nga kryeministri i sotëm i Serbisë apo presidenti i saj me të cilën ata tërheqin letrën e Brnabiq. Ndërkaq deklarimet e Vuçiq, Vulin dhe politikanëve të tjerë të Serbisë bëjnë me dije se ata vazhdojnë ta kontestojnë Marrëveshjen e Brukselit të shkurtit 2023".

"Ata thonë çdo ditë se nuk pajtohen me shtrirjen e sovranitetit të Kosovës në veri të saj. Kjo do të thotë se nuk e njohin as defacto integritetin territorial dhe kufijtë e Kosovës. Madje kërkojnë që të ndryshojnë ose rivendosin kufij të brendshëm midis komunave në Kosovë. Ndërhyrja e tyre deri në këtë masë është dëshmi e plotë se Serbia nuk ka ndryshuar asgjë nga qëndrimet e veta të kohës së Milosheviçit kundrejt Kosovës. Gjithashtu Vuçiq thoshte pata tri ditësh se nuk do të pranojmë kurrë që Kosova të bëhet anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Që do të thotë se nuk e pranon Kosovën si shtet Sovran", shpjegon profesor Bytyçi për "Bota sot".

Ai thotë se të gjitha këto qëndrime si dhe nxitja e dhunës në veri të vendit janë krejtësisht në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit.

"Serbia vazhdon të qëndrojë në pikën zero të vitit 2011 kur filluan bisedimet. Nënshkruan marrëveshje dhe nuk pranon të zbatojë pjesën që asaj i takon. Ndërkaq kërkon me insistim dhe fajëson Kosovën pse ajo nuk po zbaton asociacionin. Taktika e saj është të nënshkruajë marrëveshje, të manipulojë BE-në që të bëjë presion te Kosova për zbatimin e obligimeve të saj dhe të sabotojë me alibi të ndryshme moszbatimin e marrëveshjeve. Të njëjtën gjë ka bërë me Planin Ahtisaari. Pasi i pranoi të gjitha benefitet e atij plani të pasqyruar në Kushtetutën e Kosovës, si bllokimin e ligjeve, formimin e 10 komunave, dygjuhësinë shqip dhe serbisht në të gjithë territorin, të drejtat fetare, kulturore etj, nuk pranoi njohjen e institucioneve të Kosovës".

"Pranoi pjesëmarrjen në institucione pa i njohur ato e madje duke punuar për rrënimin e tyre. Të njëjtën gjë ka bërë me dialogun prej fillimit e deri më sot. Diplomatët e kanë toleruar. E kanë toleruar dhe idiotët e dobishëm të Kosovës në drejtimin e saj", nënvizon Bytyçi.

Ai thotë se Albin Kurti hoqi dorë nga politika e mëparshme.

"Ishte një ndryshim shumë i madh ky. Qëndrimi i tij, për të mos formuar asociacionin pa njohjen dhe pranimin e Kosovës në OKB është krejt logjik, racional dhe i arsyeshëm. Duhet të jesh idiot i dobishëm për Serbinë që të vazhdosh e të mos shohësh se Beogradi e shfrytëzon dialogun për ta rrënuar sovranitetin, integritetin territorial dhe shtetësinë e Kosovës", shprehet Bytyçi.

Sipas tij, letra e dërguar nga ish kryeministrja serbe nuk është tërhequr asnjëherë.

"Por edhe sikur ajo të tërhiqej, kushtëzimet e Kosovës në dialog kanë logjikë, kanë sens. Është çështje besimi. Kosova është zhgënjyer shumë herë jo vetëm nga Beogradi, por edhe nga Brukseli. Sepse del një Macron aty dhe bllokon çdo gjë. Nuk ia kanë bërë Kosovës të keqen shtete e BE-së që nuk e kanë njohur atë, sa ia ka bërë Emmanuel Macron. Shqiptarët duhet të besojnë te aleatët, por atë që e shohin me sy ata nuk mund ta injorojnë. Vetëm gomerët besojnë se janë në ëndërr, edhe kur ujkun e kanë në shpinë. Serbia vazhdon ta kafshojë Kosovën në territorin dhe shtetësinë e saj dhe ndërkombëtarët na thonë “është ëndërr, nuk është e vërtetë”!", deklaron Bytyçi.

Për fund, Bytyçi kritikon bashkësinë ndërkombëtare, pasi janë pikërisht ndërkombëtarët që shpesh herë nuk i kanë mbajtur premtimet e tyre.

"Që kur e nisën dialogun si dialog për çështjen teknike dhe e shndërruan atë në çështje politike e madje me tendencë federalizmi. Nëse do të ketë moskoordinim me ndërkombëtarët dhe për ketë shkak ftohen marrëdhëniet e Kosovës me ta, pas disa viteve do të vijë një qeveri tjetër dhe do t’i rivendosë të gjitha lidhjet me ndërkombëtarët. Por nëse Kosova bën lëshime në çështjen e territorit dhe sovranitetit, këto nuk i kthehen më kurrë Kosovës, çfarëdo qeverie të vijë në pushtet. Qëndrimet çdokush në botë i ndërton duke llogaritur pasojat. Humbja e territorit dhe e sovranitetit sjell pasoja të pariparueshme. Ftohja me ndonjë aleat, është e përkohshme, me njëmijë përqind rikuperohet e shndërrohet në një marrëdhënie e ngrohtë", përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.

Read Entire Article