Luftimet ndizen në Gaza para fillimit të armëpushimit

10 months ago 43
23:32 23/11/2023

Ushtria zbuloi prova të përdorimit të spitaleve nga militantët e Hamasit

Lufta u ndez në Gaza të enjten, pasi palët filluan të bëjnë politikë me marrëveshjen e arritur të armëpushimit dhe lirimi i pengjeve u shty me një ditë. Shtyrje që theu shpresat e familjarëve të presin të dashurit e tyre.

Në pritje të hyrjes në fuqi të armëpushimit, ushtria izraelite sulmoi objektiva të Hamasit në Gazë. Ushtarët shihen duke ecur mes rrënojave të shtëpive të shkatërruara dhe duke u përfshirë në shkëmbim zjarri në rrugë. Gjatë ditës Ushtria izraelite ndërmori 300 sulme ajrore dhe sirenat paralajmëruan lëshime raketash nga grupet e armatosura palestineze.

Luftimet shtynë me një ditë zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit ndërkohë bisedimet hynë sërish në shina të enjten pasdite dhe Katari njoftoi detajet kryesore të pushimit humanitar të planifikuar dhe lirimin e pengjeve izraelitë të mbajtur në Gaza nga Hamasi dhe të burgosurve palestinezë. Armëpushimi i përkohshëm do të fillojë në orën vendore 07:00 të së premtes dhe se grupi i parë prej 13 pengjesh do të lirohet në orën 16:00.

Shtyrja e marrëveshjes e shtoi ankthin dhe pikëllimin. Eitan Gonen teksa ulet në dhomën e gjumit të vajzës së tij Romi lutet që ajo të jetë mes të parëve që do të kthehen. Gonen ngre kokën dhe i mban lotët. Në një raft pas tij janë fotografitë me korniza, manikyri i thonjve dhe një koleksion produktesh kozmetike të rregulluara siç kishin qenë kur 23-vjeçara Romi u largua nga shtëpia e prindërve për në festivalin muzikor Nova.

“Romi është diell. Ajo sjell dritë dhe nxehtësi në çdo vend që hyn. Ajo do të pushtojë zemrën e të gjithëve dhe do të sigurohet që të gjithë rreth saj të jenë shumë të lumtur dhe me energji të lartë”.

Gonen tha se e ka të vështirë të hyjë në dhomën e vajzës pas 47 ditësh, pasi ai kalon nëpër fotot e vjetra të varura me radhë në mur.

Tjetër dramë po përjetojnë palestinezët në Gaza. Këtu duke kërkuar për viktima mes rrënojave pas sulmeve izraelite në Rafah. Ekipet e shpëtimit dhe banorët e zonës gërmuan nëpër rrënojat e ndërtesave të dëmtuara. Pranë rrënojave të një shtëpie të shkatërruar, një burrë me mjekër gri vajton i pikëlluar, ndërsa një tjetër i vuri dorën mbi supe për ta ngushëlluar.

“Ç’të thuash, na e shkatërruan ndërtesën, çfarë të them tjetër,” thotë ky djalë që i shpëtoi sulmit

Fëmijë e plagosur u dërguan me urgjencë në spitalin Nasser në Khan Younis të Gazës. Mediat palestineze raportuan të paktën 15 të vrarë në qytetin kryesor jugor të enklavës.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po përpiqet të mbijetojë politikisht. I akuzuar nga organizatat ndërkombëtare të ndihmës si përgjegjës për gjendjen katastrofike humanitare në Gazë, ai vetë akuzoi Kombet e Bashkuara se po veprojnë ngadalë për t’iu përgjigjur krizës humanitare në Gaza, duke thënë se punonjësit e ndihmës nuk kishin hyrë në një “zonë të sigurt” të caktuar për refugjatët palestinezë.

Ai tha se Izraeli po bën gjithçka për të shmangur dëmtimin e civilëve ndërsa Hamasi po vepron nga brenda objekteve civile dhe të OKB-së, duke përdorur popullsinë si mburojë.

Ushtria izraelite i tregoi agjencisë Reuters një tunel të fortifikuar pranë spitalit Al Shifa në Gaza, i kompletuar me banjë, kuzhinë dhe një dhomë takimesh me ajër të kondicionuar. Sipas ushtrisë ky mjedis ka shërbyer si një bazë komande për luftëtarët e Hamasit. Boshti i tunelit, rreth dy metra i lartë, u aksesua përmes një boshti të jashtëm që ndodhet brenda kompleksit të spitalit.

“Kjo është mënyra se si ata mbijetojnë sepse përdorin spitalin si një mburojë njerëzore. Dhe këtu mund të qëndrojnë për një kohë të gjatë. Ka një dhomë me kondicioner brenda.”

Pas këtij zbulimi ushtria tha se drejtori i spitalit Al-Shifa në veri të Gazës është arrestuar nga autoritetet izraelite për t’u marrë në pyetje.

Ora po afron për lirimin e pengjeve dhe kjo nënë izraelite që përballet me një sëmundje kërcënuese për jetën dhe dëshiron ta shohë vajzën e saj të kthehet në Izrael para se t’i dorëzohet kancerit. Gjëja e fundit që Liora dhe Yakov Argamani panë vajzën e tyre Noa ishte në një video që qarkulloi në rrjetet sociale më 7 Tetor.

“Dua që ajo të kthehet në shtëpi sa më shpejt që të jetë e mundur. E di që ajo dëshiron të kthehet. Shpresoj që kjo të ndodhë së shpejti. Ne e presim, e gjithë familja, të gjithë miqtë.”

26-vjeçarja u pa e kapur nga luftëtarët e Hamasit në një motoçikletë që shkonte në Gaza.

Klan News


Read Entire Article