Mbi 100 shkolla të mbyllura në Angli! Ndërtesat e bëra me beton “të gazuar” shemben për shkak të frikës së sigurisë

1 year ago 15
Reklamë

Ndërtesat e shkollave në Angli të cilat janë të bëra me një lloj betoni të prirur për t’u shembur do të mbyllen menjëherë për shkak të frikës së sigurisë, ka njoftuar qeveria.

Në rreth 104 shkolla do të ndërpritet mësimi, pasi në 50 prej tyre ku u bënë rikonstruksionet më herët janë prekur tashmë këtë vit.

Departamenti për Arsimin tha se “shumica dërrmuese e shkollave dhe kolegjeve nuk do të ndikohen nga ky ndryshim”, por Laburistët e kritikuan masën duke e konsideruar “shfaqje tronditëse të paaftësisë konservatore”.

Lloji i betonit që detyron mbylljet e shkollave është Betoni i Gazuar i Përforcuar i Autoklavuar, i njohur si RAAC. Është i njëjti lloj betoni që është gjetur në disa spitale që janë konsideruar të jenë të pasigurt, duke nxitur Sekretarin e Shëndetësisë Steve Barclay t’i rishikojë ato në programin e qeverisë për ndërtimin e spitaleve.

Sekretarja e Arsimit Gillian Keegan tha: “Asgjë nuk është më e rëndësishme sesa të sigurohemi që fëmijët dhe stafi të jenë të sigurt në shkolla dhe kolegje, kjo është arsyeja pse ne po veprojmë sipas dëshmive të reja rreth RAAC tani, përpara fillimit të mandatit. Ne duhet të kemi një qasje të kujdesshme sepse kjo është gjëja e duhur për të bërë si për nxënësit ashtu edhe për stafin. Plani që kemi përcaktuar do të minimizojë ndikimin në mësimin e nxënësve dhe do t’u sigurojë shkollave financimin dhe mbështetjen e duhur që u nevojitet për të vendosur masat zbutëse për t’u marrë me RAAC.”

Sekretarja e Arsimit në hije e laburistëve, Bridget Phillipson, tha se qeveria po “dështon” në edukimin dhe mbrojtjen e fëmijëve, duke u detyruar të mbyllë shkollat ​​pak para fillimit të mandatit të ri.

“Kjo është një shfaqje absolutisht tronditëse e paaftësisë së konservatorëve pasi ata fillojnë një mandat të ri, duke zhgënjyer përsëri fëmijët tanë. Dhjetëra shkolla të Anglisë janë në rrezik kolapsi vetëm pak ditë para se fëmijët të grumbullohen në korridoret e tyre. Ministrat janë kënaqur duke lënë këtë kaos të vazhdojë për një kohë të gjatë. Ka kaluar shumë kohë që Sekretarja e Shtetit të merrte kontrollin e departamentit të saj.”

Paul Whiteman, sekretari i përgjithshëm i sindikatës së drejtuesve të shkollave NAHT, tha gjithashtu se “lajmi është tronditës, për fat të keq nuk është shumë befasues”.

“Ajo që po shohim këtu janë pasojat reale të një dekade të shkurtimeve të mëdha të shpenzimeve në ndërtesat e shkollave. Qeveria ka të drejtë që vendos në radhë të parë sigurinë e nxënësve dhe stafit – nëse siguria e ndërtesave nuk mund të garantohet, nuk ka zgjidhje tjetër veç mbylljes së tyre në mënyrë që të mund të kryhen punë urgjente ndërtimi.

Por nuk mund të shpëtojë fakti se koha për kryerjen e këtyre ndërhyrjeve nuk mund të ishte më e keqe, pasi fëmijët që do të kthehen nga pushimet verore javën e ardhshme”.

DfE tha se shumica e vendeve të shkollave do të mbeten të hapura për zhvillimin e mësimit, dhe se do të ndërhyet vetëm në pjesë të veçanta të ndërtesave të mbyllura ku përdoret RAAC. Ai tha se një pakicë do të duhet ose “të zhvendoset plotësisht ose pjesërisht në akomodim alternativ” derisa të vendosen masat zbutëse.

Departamenti tha se qeveria ka qenë në dijeni të RAAC në ndërtesat e sektorit publik që nga viti 1994, por çështja doli në dritë në vitin 2018, kur një çati u shemb në një shkollë në Kent. Atë vit DfE botoi udhëzime për shkollat ​​duke deklaruar nevojën për të patur një plan emergjencash gati në rast të evakuimeve të shkaktuara nga shqetësimet për përdorimin e RAAC.

Në qershor të këtij viti, Zyra Kombëtare e Auditimit (NAO) tha se kolapsi i një shkolle në Angli që mund të shkaktonte vdekje ose lëndim të nxënësve ishte “shumë i mundshëm” – por qeveria nuk kishte informacion të mjaftueshëm për të menaxhuar rreziqet “kritike” për sigurinë e nxënësve dhe stafit.

Mbikëqyrësi zbuloi se rreth 700,000 fëmijë në Angli po ndjekin shkollat ​​që kanë nevojë për riparime të mëdha pas viteve të financimit të pamjaftueshëm dhe se pavarësisht vlerësimit të mundësisë së shembjes për të ulur rrisqet e lëndimit apo vdekjes në vitin 2021, Departamenti i Arsimit “nuk ka mundur ta zvogëlojë këtë rrezik”.

Rreth 24,000 ndërtesa shkollore – më shumë se një e treta e numrit të përgjithshëm në Angli – janë përtej jetëgjatësisë së parashikuar të projektimit, me drejtuesit e shkollave që e cilësojnë shkallën e çështjeve të sigurisë së ndërtesave “tronditëse”.

Top Channel

Read Entire Article