Mediat e huaja: Meta 12 vite burg, njeriu “i kthesave të forta me aleancat politike”

2 hours ago 32

Ilir Meta, njeriu i ndryshimit të madh të aleancave politike, një ish aleat i ngushtë i kryeministrit Edi Rama e i afruar tani me Sali Berishën, kreun e Partisë Demokratike në opozitë, nëse shpallet fajtor rrezikon deri në 12 vite burg thotë DW, që kujton sesi ish presidenti nuk pranon akuzat për korrupsion, por përkundrazi drejton gushtin e fajit nga ish aleati i vet me pretendimin se drejton një “regjimi kleptokratik”.

Në pasqyrimin që media të ndryshme të huaja i bëjnë arrestimit të bujshëm të ish-kreut të shtetit, nuk kalon pa u përmendur fakti që Meta ka mbajtur shumë poste të larta në vend duke u zgjedhur për herë të parë deputet në vitin 1992.

Një politikan karriere, që kur hyri për herë të parë në parlament ishte vetëm 23 vjeç, dhe 30 kur u bë kryeministër, ai ka qenë përgjatë dy dekadave të fundit një prej politikanëve më aktivë por njëkohësisht, edhe më kontroversë në skenën politike shqiptare.

Partia e tij është përballur vazhdimisht me akuza për nepotizëm e korrupsion, të cilat Meta ka vazhduar t`i mohojë. Lajmi i arrestimit të tij u përcoll menjëherë edhe nga Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP), një rrjet global gazetarësh hulumtues me staf në gjashtë kontinente, i specializuar në krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Associated Press nga ana tjetër, teksa citon pohimet e prokurorëve se kur ishte ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Meta kishte shpërdoruar autoritetin e tij për të ndikuar në biznese të ndryshme në të cilat ai dhe Monika Kryemadhi kishin fituar shuma të konsiderueshme parash, nenvizon po ashtu faktin që si lider partie përpara se të bëhej president në 2017, ai nuk ka deklaruar rreth 460,000 dollarë (423,000 euro) të përdorur për lobim në Shtetet e Bashkuara.

Read Entire Article