Mediat franceze: Serbia, lojë të rrezikshme të dyfishtë! Vuçiç nuk heq dorë nga ambicia për të rimarrë Kosovën

10 months ago 29

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, fitues i zgjedhjeve të dëmtuara nga parregullsitë, ka refuzuar që t’i mbështesë sanksionet kundër Rusisë dhe nuk ka hequr dorë nga ambiciet e tij për ta rimarrë Kosovën, duke rrezikuar që ta shtyjë të ardhmen e integrimit të vendit të tij në BE.

Larg nga fushëbetejat e Ukrainës, një front tjetër i luftës së Rusisë po shpaloset në Ballkan, ku Moska ka qenë duke u përpjekur që t’i shfrytëzojë tensionet nacionaliste kundër aspiratave të vendeve të këtij rajoni për të hyrë në Bashkimin Evropian. Zëdhënësja diplomatike e Rusisë, Maria Zakharova, rishtazi i krahasoi protestat në Serbi, me të cilat po denoncohej mashtrimi i pretenduar në zgjedhjet e 17 dhjetorit, me ato në Sheshin “Maidan” në Kiev më 2014 – të cilat çuan në ardhjen në pushtet të udhëheqësve pro-perëndimorë në Ukrainë.

Që nga shpallja e rezultateve të këtyre zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, qindra protestues çdo ditë i kanë sfiduar forcat e sigurisë për të protestuar kundër parregullsive të vërejtura zgjedhore. Përderisa rezultatet zyrtare tregojnë një fitore prej 46,72 për qind për nacionalistët e Partisë Progresiste Serbe të Aleksandar Vuçiqit, vetëm 23,58 për qind shkuan për koalicionin pro-evropian, Serbia Kundër Dhunës, shtatë prej udhëheqësve të së cilit janë në grevë urie.

Vëzhgues nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Parlamenti Evropian e Këshilli i Evropës kanë denoncuar parregullsi serioze, përfshirë “blerjen e votave” dhe “mbushjen e kutive të votimit”. Presidenti serb, megjithatë, ka këmbëngulur se zgjedhjet “ishin më të sinqertat […] në historinë e re të Serbisë” dhe ka akuzuar “shtete të huaja të fuqishme” se janë munduar “ta destabilizojnë vendin”.

Operacioni Komando në Kosovë

Ky kontekst helmues e pasqyron strategjinë e Vuçiqit për tension, duke i vërtetuar dyshimet në rritje për orientimin Evropian të Serbisë. Duke qenë në pushtet për gati dhjetë vjet, presidenti e ka shfaqur admirimin e tij për ish-diktatorin Sllobodan Millosheviq, i cili vdiq para përfundimit të gjykimit për krime kundër njerëzimit e gjenocid.

Vuçiqi nuk e ka braktisur ambicien e tij për ta rimarrë kontrollin e Kosovës – pavarësinë e të cilës ai nuk e ka pranuar kurrë që nga shpallja e saj më 2008 – siç do të dukej se tregonte operacioni i ndërprerë serb i komandove në shtator. Përfundimisht, edhe pse ai është president i një shteti që është kandidat për anëtarësim në BE (nga e cila ai ka marrë fonde), ai ka refuzuar që të rreshtohet me sanksionet evropiane kundër Rusisë dhe e ka ndërprerë zbatimin e reformave që kërkohen nga blloku.

Evropianët kishin besuar për kohë të gjatë se lidhjet tregtare të Serbisë me BE-në, si dhe zhvillimi ekonomik i vendit, do të ngadhënjenin në fund para retorikës nacionaliste të Vuçiqit. Ata tani kanë çdo arsye për ta shikuar lojën e tij të dyfishtë me kujdes. Franca, në veçanti, është e lidhur me ambicien për ta ankoruar Ballkanin – dhe rrjedhimisht Serbinë – në BE. Kjo dilemë është gjithçka tjetër pos e lehtë, sepse sa më larg që duket të jetë distancuar hyrja e Serbisë në BE, aq më shumë Rusia dhe Kina e kanë shfrytëzuar situatën për t’i çuar përpara interesat e tyre.

Prapëseprapë, shembulli i vendosur nga Hungaria e Viktor Orbanit, e cila ka synuar që të veprojë si “kalë i Trojës” i Rusisë brenda BE-së, duhet t’i nxisë shtetet anëtare që të kërkojnë pëlqim drastik e të pakthyeshëm me sundimin e ligjit, për ta parandaluar Beogradin që një ditë ta përsërisë të njëjtën taktikë. Evropianët e dinë nga historia e vet që rreziqet e një krize në Ballkan mund të kenë pasoja katastrofale, shumë përtej vetë këtij rajoni. Në sfondin e tensionit të përkeqësuar nga agresioni i Rusisë në Ukrainë, ata duhet të jenë vigjilentë për ekceset e presidentit serb./Le Monde

Read Entire Article