Moska paralajmëron “luftë me NATO-n” nëse Ukraina godet territorin rus me armët amerikane

3 months ago 14
Reklamë

Një zyrtar i lartë rus thotë se sulmet e Ukrainës me armë amerikane brenda Rusisë mund të nënkuptojnë luftë me NATO-n dhe paralajmëron se kërcënimet bërthamore të Moskës nuk janë blof.

Duke iu përgjigjur presidentit amerikan, Joe Biden, i cili ka hequr pjesërisht kufizimet e Ukrainës për përdorimin e armëve amerikane brenda territorit të Rusisë, Dmitry Medvedev ka lëshuar një sërë paralajmërimesh për Perëndimin.

Figura e lartë e Kremlinit tha se “askush nuk mund të përjashtojë” mundësinë që tensionet me Perëndimin të përshkallëzohen deri në “fazën e fundit” dhe se Moska do të konsiderojë çdo armë me rreze të gjatë të përdorur nga Ukraina si armë e kontrolluar nga NATO, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.

“Kjo nuk është ndihmë ushtarake, kjo është luftë kundër nesh. Dhe veprime të tilla mund të provokojnë luftën”, tha Medvedev.

Ai shtoi se “do të ishte një gabim fatal nga ana e Perëndimit të mendonte se Rusia nuk është gati të përdorë armë bërthamore taktike kundër Ukrainës”.

“Ky nuk është frikësim, e as blof”, tha zyrtari rus.

“Ka një përshkallëzim të vazhdueshëm kur bëhet fjalë për fuqinë e armëve të NATO-s që përdoren. Prandaj, askush nuk mund ta përjashtojë kalimin e konfliktit në fazën e tij përfundimtare”.

Si rezultat, Medvedev thotë se “mund të ketë një arsye për të shkuar në luftë me bllokun ushtarak perëndimor”.

Ndryshe, një institut i mbështetur nga Putini ka sugjeruar se Rusia duhet të konsiderojë një shpërthim bërthamor për të frikësuar Ukrainën nga përdorimi i armëve perëndimore brenda territorit të saj.

Medvedev konsiderohet si aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin. Ai shpesh është njohur për kërcënimet e tij ndaj Ukrainës dhe Perëndimit, duke përmendur armët bërthamore. /Telegrafi/

Read Entire Article