“Ndihmë konkrete për vendet kandidate”- Gjermania paraqet vizionin e integrimit për shtetet e Ballkani, por ka një kusht

10 months ago 7
Reklamë

Si mund të bëhet Bashkimi Evropian i aftë për t’u zgjeruar? Kjo ishte pyetja kryesore që i kishin vënë organizatorët konferencës. Sepse një gjë është e qartë: që tani, kur ka “vetëm” 27 shtete anëtare çdo kompromis i arritur është shumë i mundimshëm. Po kur BE-ja të bëhet me 36 vende, nëse shtojmë edhe tetë vendet që kanë aktualisht statusin e kandidatit: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnja-Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi, Ukraina, Moldavia dhe Turqia, si edhe Gjeorgjinë, që pret ta fitojë këtë status së shpejti.

Një sfidë kjo, jo vetëm për vendet aderuese, por edhe për vetë BE-në, por që sipas ministres së jashtme gjermane Annalena Baerbock, duhet adresuar tani, më shumë se kurrë, në këtë sfond gjeopolitik gjithnjë e më të rrezikshëm për BE-në: „Moska e Putinit do të vazhdojë të përpiqet të gërmojë një hendek imperial në Evropë që të na ndajë jo vetëm nga Ukraina, por edhe nga Moldavia, Gjeorgjia dhe Ballkani Perëndimor. Nëse këto vende destabilizohen vazhdimisht nga Rusia, edhe ne jemi pambrojtur, atëherë kjo na bën të gjithëve të pambrojtur”, tha shefja e diplomacisë gjermane duke nënvizuar domosdoshmërinë e zgjerimit të Evropës.

Zgjermi gradual

Por si mund të bëhet ky proces më realist? Politikania e partise “Te Gjelbërit” u ofroi kolegëve të ftuar edhe dy ide për ta bërë këtë proces sa më efikas: Zgjerim gradual dhe reformim të brendshëm të BE-së.

Një mësim i nxjerrë pikërisht nga procesi i tejzgjatur i zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor është se integrimi nuk duhet të jetë bardhezi, por gradual. Me fjalë të tjera: edhe nëse vendet nuk arrijnë të anëtarësohen shpejt në BE, atyre duhet t’u mundësohet qasje graduale në strukturat e BE-së, në varësi të progresit që kanë bërë.

Baerbock propozon për shembull që atyre t’u jepet status vëzhguesi në Këshillin e Evropës, por edhe gjëra praktike që prekin jetën e përditshme të njerëzve si për shembull, heqjen e tarifave roaming, më shumë bursa studimi në kuadër të programit Erasmus, më shumë fonde për shkencëtarët apo qasje në sektorë të caktuar të tregut të brendshëm.

Parakusht: Vlera të përbashkëta

Parakusht është që të respektohet shteti i së drejtës: BE-ja do të funksionojë vetëm nëse nuk kompromentojmë thelbin e komunitetit tonë, vlerat tona themelore të përbashkëta. “Shteti i së drejtës dhe demokracia do të mbeten gjithmonë themeli prej graniti i Bashkimit tonë Evropian. Kjo është forca jonë”, tha Baerbock

Baerbock u shpreh, që nëse një shtet anëtar apo kandidat nuk respekton vlerat e përbashkëta të BE-së, pra, shtetin e së drejtës, ai të sanksionohet. Kjo mundësi aktualisht ekziston në BE, por mënyra e vendimmarjes është shumë e komplikuar. Prandaj nevojitet një reformim në vendimmarje.

Një dikaster, disa shtete

Baerbock hodhi disa ide për reformimin e vendimmarrjes në një Europë të zgjeruar, ku Komisioni nuk mund të ketë më aq komisionerë sa shtete antare. Detyrimisht disa vende duhet të heqin dorë nga pretendimi për post në Komision.

Por si mund të garantohet, që ky shtet të mos e humbasë ndikimin në vendimmarje?

Baerbock propozon që në raste të tilla një portofol komisioneri të drejtohet nga disa shtete, si edhe një bashkëpunim dhe koordinim më të madh të vendeve në kuadër të komisionit. Ajo dha si shembull politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, duke propozuar që misionet diplomatike të vendeve antare të BE-së, të shpërndara në të gjithë botën, të marrin përsipër detyra të ndryshme të politikës së jashtme të BE-së, dhe të koordinohen nga Shërbimi Diplomatik i Bashkimit Evropian (EEAS). /Dw/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article