Fitore për Partinë Demokratike, i ka cilësuar anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Lisandër Hoxha, ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që u miratuan me 106 vota pro, nga Kuvendi i Shqipërisë.
Në rubrikën “Opinion” në News24, Hoxha tha se është marrë maksimumi i mundshëm nga një forcë që refuzon të bëjë reformë zgjedhore. Për Hoxhën, fitorja kryesore është e drejta e votës për emigrantët apo diasporën, duke mos ia lënë në dorë PS apo KQZ të përcaktojë mënyrën se si do të votohet dhe si do të llogaritet vota e tyre.
“Jam pro listave të hapura, pro votës së lirë, por ne kemi marrë më të mirën e mundshme nga ajo që u ofrua. Ka një tentativë nga njerëzit e Sorosit për të relativizuar gjithçka që po ndodh në Shqipëri. Këtu nuk ka pasur asnjë pazar, për interesin publik, PD hyri në komision dhe vendosi veton. Ai që ka humbur nga këto ndryshime është pikërisht Edi Rama”, tha Hoxha.
Ai u shpreh se ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Qëndrimin e mbajtur nga Lulzim Basha, Hoxha e konsideroi si qëndrimin e një politikani sfungjer. “Bashën po e përdor Sorosi, shikoni propozimet që ka bërë, ai është një politikan kameleon”, tha Hoxha.
Në vijim, ai tha se me shumë gjasa vendi do të shkojë në zgjedhje me një qeveri teknike. “Lojën e drejton Sali Berisha, Edi Rama nuk e ka punën mirë me drejtësinë. PD është gati për fitore. Mos e gjykoni PD mbi rezultatet e 2021 kur ishte Lulzim Basha kryetar, mos harroni që në zgjedhjet vendore ka marrë mbi 500 mijë vota pa pasur as logon, as komisionerët, as të drejtën e emrit në fletën e votimit”, tha Hoxha.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb