Sot për tetën herë do të provohet konstituimi i Kuvendit të Kosovës, pas disa dështimeve radhazi ku opozita po kundërshton kandidaturën e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiut për postin e kryetares së Kuvendit.
As Lëvizja Vetëvendosje, e as partitë e radhitura pas saj në zgjedhjet e 9 shkurtit nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre të kundërta me njëra tjetrën, ndërsa një marrëveshje politike është përmendur vetëm sa për formalitet, në njërën nga herët kur Haxhiu dështoi të bëhet kryeparlamentare.
Këtë situatë për gazetën “Bota sot” e ka komentuar publicisti Gani Qarri. Ai ka ka bërë një reagim të ashpër duke kërkuar urgjentisht një spastrim i thellë i skenës politike të Kosovës nga figura të kontestuara dhe struktura me agjenda të dyshimta.
Gani Qarri
Në qendër të kritikave, sipas Gani Qarrit qëndron Ramush Haradinaj, që sipas tij duhet të largohet nga politika dhe të jap llogarië për rastin e kufirit me Malin e Zi dhe çështjen e faljes së 8300 hektarëve tokë në zonën e Kullës dhe Çakorrit.
“Kosova më tepër se për institucione e qeveri shkel e shko, ka nevojë imediate për spastrimin rrënjësor të skenës së vet të kontaminuar politike, nga njerëz enigmatik dhe struktura të dyshimta me agjendë konspirative, si Ramush Haradinaj & Co, të cilin për tu balancuar diskursi partiak, dhe kthyer normaliteti në veprimet politike, duhet urgjentisht të largohet nga skena politikbërëse e Republikës së Kosovës, si dhe të ngritet sa më parë edhe një aktakuzë penale në gjykatë, kundër tij, për faljen e Kullës dhe të Çakorrit, Malit të Zi.
Duke pasur parasysh se përveç shitjes, apo faljes së Kullës e Çakorrit bashkë me 8300 hektar tokë autoktone të Kosovës, Malit të Zi, Ramush Haradinaj përveç deklarimit për formimin e “zajednicës” një etnike serbe, tani shpreh gatishmërinë edhe për formimin e komunës për Baljen, pas të cilës mund të mbijë shpikja e komunës "gorane", hashkalike, boshnjake, egjiptiane, rome apo edhe ”bullgare” e kush e di çka tjetër, me çelim të ndarjes definitive të minoriteteve nga shumica dërmuese e popullit të Kosovës, e ndoshta në kokën e tij, ekziston ideja e sëmurë edhe për ndarjen e shqiptarëve në nahi alla-turka, apo kantone "ala-bosnje", ndaj Kosova duhet medoemos ti përsërit zgjedhjet dhe ti bëj thirrje publike popullit të Kosovës, për rreziqet që mund ti sjell ky njeri vendit nëse serish votohet. Pra, para se të formohet qeveria e vendit, Kosovës i duhet urgjentisht një spastrim i thellë i skenës së kontaminuar politike dhe kjo mund të arrihet vetëm me zgjedhje të reja, ndaj unë jam për përsëritjen e zgjedhjeve, në vend të formimit të institucioneve të brishta e një qeverie të paqëndrueshme dhe jo-stabile, e cila në vend të zgjidhjes së ngërçit, do të prodhonte edhe më shumë probleme dhe më tepër do ishte e dëmshme se sa e dobishme për shtetin dhe popullin e Kosovës!”, ka thënë Qarri.
Po ashtu, një theks i veçantë Qarri i ka dhënë rolit të Diasporës, për të cilën ai ka kërkuar formimin e një trupe përfaqësuese dhe ngritjen e një padie për keqpërdorimin sistematik të votës së saj.
“Por paraprakisht, Diaspora duhet të unifikohet, të formojë një trupë të veten përfaqësuese dhe të ngrejë një padi urgjente kundër keqpërdorimit industrial të votës së mërgimtarëve, nga politikanët në Kosovë, që është edhe lëndim i padurueshëm i privatësisë, dhunim drastik dhe më i rëndi i mundshëm i vullnetit të mërgimtarëve, si dhe shkelje makaber e të drejtave njerëzore të mërgimtarëve, duke kanalizuar votën e tyre, jo atje ku ajo është adresuar, por aty ku dëshirojnë matrapazët e partive të ndryshme politike.
Kështu që padia e Diasporës për keqpërdorimin industrial të votës, duhet të shoqërohet me kërkesën eksplicite për një ekspertizë të detajuar ndërkombëtare nga specialist të sprovuar të BE-së në Bruksel dhe Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, në mënyrë që gjëra kaq të ulëta e debile, të mos guxojnë më kurrë të përsëriten”, ka shtuar ai.
Sipas publicistit Qarri, kjo situatë nuk premton zgjidhje të ngërçit.
“Përndryshe vet gjendja-PAT, e krijuar pas votimeve të 9 shkurtit, nuk premton rregullim apo zgjidhje të ngërçit, as me lëshuarje pe, ngase nuk i mundëson Kosovës, të ketë institucione të forta e valide, gjë që po dëshmohet katërçipërisht edhe pas dështimit për herë të shtatë të konstituimit të Kuvendit!
Kështu që subjektet politike, realisht do duhej ta mbanin një takim konstruktiv, për dakordimin e paraqitjes së një emri konsensual për kryetar të Kuvendit, i cili edhe në rast të zgjedhjes së kryesisë dhe konstituimit të Kuvendit, për shkak të pafuqisë për vendimmarrje të vlefshme dhe me bazament të sigurt, menjëherë pas formimit, do duhej ta shpërbënte vetveten dhe drejtonte vendin, në përsëritjen e zgjedhjeve”, ka potencuar Qarri.
Në fund, Qarri theksoi se pas dështimit të njëpasnjëshëm për konstituimin e Kuvendit, zgjidhja e vetme mbetet vota e popullit për të rikthyer legjitimitetin dhe stabilitetin politik, si dhe për të formuar një qeveri të re me kapacitet për të marrë vendime strategjike për të ardhmen e Kosovës.
“Pra vetëm vota e përsëritur e popullit, do ti jepte fund maskaradës së moskonstituimit të Kuvendit, ofronte zgjidhjen e ngërçit dhe mundësonte konstalacione të reja politike, pas të cilave përveç zgjedhjes së kryetarit dhe të kryesisë së Kuvendit, do të mundësohej edhe çështja e formimit të Qeverisë së re, një Qeverie me kompetenca dhe fuqi të mjaftueshme politike, për marrjen e vendimeve të mëdha e serioze, të cilat shihet qartë, se i duhen më tepër se asnjëherë më parë, shtetit dhe popullit të Kosovës!”, përfundoi ai.
Ndryshe, tash e tetë herë Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje nuk po arrin të marr më shumë se 57 vota pro për zgjedhjen si kryeparlamentare.