Ngjarja tronditëse në Shkodër, Alma Bektashi mesazh për gratë: Divorci nuk është fundi i jetës, por fillimi i një jete tjetër

4 months ago 6
Reklamë

Në një shoqëri si ajo shqiptare, ku divorci mbetet ende një tabu dhe çështje delikate, ngjarjet tragjike që ndodhin si pasojë e krizave familjare tronditin thellë opinionin publik.

Kjo është bërë edhe më e qartë pas ngjarjes së rëndë në Shkodër, ku një nënë, pasi përballoi dramat familjare, dyshohet se mori vendimin e tmerrshëm të vetëmbytet bashkë me tre fëmijët e saj.

Në kontekstin e këtyre ngjarjeve, artistja e njohur shqiptare Alma Bektashi ka zgjedhur të flasë hapur për përvojën e saj personale me divorcin në emisionin “Në Kurthin e Piter Pan”.

Foto: Alma Bektashi/Instagram

Bektashi, e cila u divorcua nga ish-partneri i saj Sokol Stafa, u shpreh se e sheh këtë proces si një pjesë të natyrshme të jetës dhe jo si një fund të botës.

Artisja doli në mbrojtje të të gjitha grave që përjetojnë situata të vështira në martesat e tyre, në prag të divorcit, ose që kanë kaluar tashmë nëpër këtë proces. Bektashi ndau një mesazh të fuqishëm dhe motivues: “Divorci nuk është fundi i jetës, është fillimi i një jete tjetër. Çdo grua që e merr një vendim të tillë duhet të jetë e fortë, largpamëse dhe të jenë edhe baba edhe nënë edhe model për fëmijët”.

Foto: Alma Bektashi/Instagram

Ajo shtoi me theks të qartë: “Nëna në asnjë mënyrë nuk duhet të mendoj një fund të errët. Divorci ose e kaluara nuk është burg i përjetshëm, por një derë që mbyllet e hapet një tjetër”.

Këto fjalë të Bektashit shërbejnë si një kujtim i rëndësishëm për gratë dhe vajzat që mund të ndjejnë se janë të izoluara apo pa zgjidhje në situata të vështira familjare. Mesazhi i saj është një ftesë për të kërkuar lumturinë personale dhe për të mos lejuar që frika dhe stigma sociale të diktojë fatet e tyre. /Telegrafi/

Read Entire Article