“Një kompani ‘mini-Google'” – Bloomberg cilëson kompaninë Gjirafa si një simbol që definon të ardhmen e zhvillimit ekonomik në Kosovë

8 months ago 27
Reklamë

Në një artikull dedikuar Kosovës dhe sfidat me të cilat ballafaqohet vendi drejt zhvillimit ekonomik, mediumi i njohur amerikan Bloomberg, cilëson kompaninë Gjirafa.com, si një shembull që definon potencialin e vendit tonë drejt zhvillimit përpara.

Gjirafa.com, një kompani e motorëve të kërkimit e fokusuar edhe në tregtinë ‘online’, përshkruhet nga Bloomberg si një kompani “mini-Google e shndërruar në Amazon”, transmeton Telegrafi.

Kompania me bazë në Kosovë posedon gjithsej 300 punëtorë, kryesisht, specialistë të rinj në fushën e teknologjisë.

Shefi ekzekutiv i kompanisë (CEO) në Gjirafa, Mërgim Cahani, në një deklaratë për Bloomberg tha se shpreson se Gjirafa të zgjerojë shtrirjen e operimit të saj.

“Misioni ynë është të ndërtojmë ekonominë e internetit të Ballkanit”, deklaroi Cahani. “Kur ka neglizhencë, me të drejtë apo jo, ka një mundësi që lojtarët e tjerë të rriten”.

Cahani e kishte hapur kompaninë me t’u kthyer nga SHBA-ja në vitin 2012, dhe duke qenë se asnjë nga emrat e mëdhenj nuk operonin në Kosovë në këtë sektor, sipërmarrësi shqiptar vendosi ta hapte një vetë.

Ai dëshiron që kompania të shtrijë operimin në Bullgari, Mal të Zi madje edhe në Serbi. Kjo do të nënkuptonte trefishimin e stafit në përgjithësi dhe rritjen e shitjeve në më shumë se 300 milionë euro rreth 10 herë më shumë se sa janë shitjet aktualisht. Ai është në bisedime me investitorët për financimin.

Suksesi i Gjirafës, sipas Bloomberg do të definonte qartë të ardhmen e Kosovës drejt zhvillimit ekonomik, në qoftë se vendi nuk do të ishte përballur me sfidat aktuale politike, sikurse çështje e pazgjidhur me Serbinë.

Një vend me popullsinë më të re në Evropë, ende varet nga remitancat e diasporës, dhe kjo ka bërë që ekonomia e vendit të mbahet në këmbë me ndihmat e huaja.

Read Entire Article