Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka miratuar të premten një rezolutë për të rritur ndihmën humanitare në Rripin e Gazës, dhe ka bërë thirrje për hapa urgjentë “për krijim të kushteve për ndalje të qëndrueshme të armiqësive”.
Votimi është shtyrë për disa orë, për shkak të negociatave intensive për të shmangur veton e Shteteve të Bashkuara.
Si pasojë e rritjes së zemërimit global për rritjen e numrit të viktimave civile në luftën 11-javore mes Izraelit dhe Hamasit, dhe pas përkeqësimit të theksuar të krizës humanitare në enklavën palestineze, Shtetet e Bashkuara kanë abstenuar votimin, për t’i mundësuar Këshillit prej 15 vendeve anëtare që të miratojnë rezolutën e hartuar prej Emirateve të Bashkuara Arabe.
Të gjitha vendet anëtare kanë votuar për miratim të rezolutës, përveç Rusisë, e cila, po ashtu, ka abstenuar.
Pas negociatave të nivelit të lartë për të fituar mbështetjen e Uashingtonit, rezoluta nuk e trajton çështjen e kontrollimit të ndihmave që hyjnë në Gazë, nga ana e Izraelit.
Izraeli monitoron futjen e të gjitha ndihmave në Gazë, përmes pikës kufitare me Egjiptin, Rafah, dhe në pikën e kontrolluar nga vetë izraelitët, Kerem Shalom.
Mirëpo zbehja e gjuhës për ndalje të armiqësive i ka zemëruar vendet anëtare – përfshirë Rusinë – dhe përfaqësuesit e disa vendeve arabe, kanë thënë se ky është një lloj miratimi që Izraeli të vazhdojë të sulmojë Hamasin.
Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Grupi e ka nxitur luftën e Izraelit, pas sulmeve që ka kryer në tokën e këtij shteti, më 7 tetor, duke lënë të vdekur rreth 1.200 njerëz dhe duke i marrë peng 240 të tjerë.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli janë kundër arritjes së armëpushimit në Gazë, me arsyetimin se nga kjo masë përfiton vetëm Hamasi.
Megjithatë, Uashingtoni mbështet pauzat humanitare për mbrojtje të civilëve dhe lirim të pengjeve të marra prej Hamasit.
Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, si pasojë e sulmeve izraelite, në Gazë kanë vdekur rreth 20.000 palestinezë – shumica gra dhe fëmijë. /REL/