Paketë ndryshimesh ligjore për sigurinë në shkolla, Balla: Policët që nuk zbatojnë ligjin përjashtohen përgjithmonë nga radhët e uniformave blu

1 year ago 21
Reklamë

Ministria e Brendshme në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit kanë hartuar një plan masash në prag të nisjes së vitit të ri shkollor. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, bëri me dije se në çdo shkollë do të përcaktohet një perimetër sigurie në formën e gardhit, i cili do të jetë të paktën 50 metër.

Balla thekson se ka në “tryezë” paketën e ndryshimeve ligjore për të parandaluar krimet dhe fenomenet shqetësuese që prekin sigurinë e nxënësve.

“Do të propozojmë paketë ndryshimesh ligjore për ashpërsimin e ndëshkimit për të gjitha veprat penale që kryehen në perimetrin e sigurisë, duke filluar nga shitja/ shpërndarja e lëndëve narkotike dhe më tej mbajtja pa leje e armëve të zjarrit, armëve të ftohta si dhe çdo vepër dhune, shfrytëzimi, prostitucioni apo pornografie”, tha Balla duke theksuar se synim mbetet parandalimi i këtyre veprave penale.

Ministri i Brendshëm shtoi se policët që thyejnë besimin e komunitetit dhe nxënësve duke mos zbatuar ligjin apo bashkëpunuar me krimin e kryer në perimetrin e sigurisë do të largohen përgjithmonë nga radhët e Policisë së Shtetit.

Njëkohësisht, Balla thekson se në lokalet ku do të konstatohet shit-blerja e lëndëve narkotike do të kërkohet heqja e licencës për subjektin. Gjithashtu, të gjithë drejtuesit e mjeteve që tejkalojnë normat e shpejtësisë në perimetrin e sigurisë së shkollave do të dënohen maksimalisht.

Read Entire Article