Pazare për shit-blerje votash/ SPAK dërgon për gjykim Kristo Agalliun dhe Agron Durajn

1 year ago 12

Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion ka dërguar për gjykim Kristo Agalliun dhe Agron Durajn, të cilët u kapën duke kryer pazare për shitje-blerje votash, para zgjedhjeve lokale të 14 majit.

SPAK njofton se ka përfunduar hetimet për Agalliun dhe Durajn, ndaj të cilëve rëndon vepra penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

“Në përfundim të hetimeve paraprake të procedimit penal nr.96 të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (në datën 27.09.2023) kërkesën për gjykim në ngarkim të pandehurve:

1. Kristo Agalliu, akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.
2. Agron Duraj, akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal.

Nga hetimi i këtij procedimi penal ka rezultuar se, në datën 09 Maj 2023, i pandehuri Kristo Agalliu i ka ofruar shuma monetare të pandehurit Agron Duraj për të ndikuar në vullnetin e këtij të fundit, në mënyrë që të votojë një kandidat të caktuar në Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore, që janë zhvilluar datën 14 Maj 2023″, njofton SPAK.

Kristo Agalliu u kap në zonën e Freskut, duke negociuar në telefon për të shitur katër vota të familjes së tij kundrejt shumës 150 mijë lekë të vjetra. 51-vjeçari kërkonte t’i paguhej dhe karburanti për të shkuar deri në Kuçovë aty ku edhe do të votonte.

“100 mijë lekë është turp. Hajde t’ja marrim kot, por turp 100 mijë lekë. Po mirë t’i dy vota ke, unë kam katër vota. Po mirë unë kam makinë vetë, ç’e dua makinën e tij unë! Po të më hedhë karburantin ai… Thoji kështu, më dëgjo, i thuaj 100 mijë lekë dhe 50 mijë lekë naftë, hajde pazari i fundit”, ishte biseda e Kristo Agalliut me Agron Durajt përmes telefonit.

SPAK ka dërguar për gjykim edhe bashkëbiseduesin e Agalliut, Agron Durajn.

Read Entire Article