Pengjet e liruara tregojnë kushtet nën robërinë e Hamasit

10 months ago 18
12:11 10/12/2023

Familjet e njerëzve që mbahen ende robër në Gaza thonë se shëndeti i disa prej tyre është përkeqësuar

Mia Leimberg doli nga robëria gati dy mujore e Hamasit në Gaza dhe për të ishte si të zgjohej nga një ëndërr e keqe.

Së bashku me qenushen e saj Bella, Shih Tzu ata bënë udhëtimin e tyre më të vështirë nën robërinë e militantëve të Hamasit.

“Edhe mua më ke munguar, vogëlushe. Çdo ditë, çdo minutë të çdo dite.”, u shpreh 17-vjeçarja teksa lotët e gëzimit nuk mund t’i përmbante.

Mia dhe nëna e saj Gabriela ishin duke vizituar disa të afërm në Kibbutz Nir Yitzhak kur u morën peng nga Hamasi gjatë sulmit vdekjeprurës të 7 Tetorit në jug të Izraelit, duke ndezur luftën me grupin islamik palestinez në Gaza.

“Ishte e vështirë. “Kur ishim atje, duhej t’i jepnim asaj ushqimet tona të mbetura. Dhe ne duhej të siguroheshim që ajo të mos vraponte dhe t’i sulej ndokujt pasi mund të na vrisnin së bashku me atë. Ne duhej ta mbanim në mënyrë që ajo të mos shkonte të eksploronte dhe të bezdiste askënd atje. Por në përgjithësi, ajo ishte një ndihmë e madhe për mua, ajo ishte më shumë një mbështetje morale po, jam shumë e lumtur që arrita ta bëj këtë udhëtim me të.”

Nëna, vajza, tezja dhe qeni u liruan si pjesë e një shkëmbimi për të burgosurit palestinezë, por xhaxhai i saj dhe partneri i tezes mbeten në robëri.

Përshkrimet e robërisë së Hamasit kanë filluar të shfaqen me kthimin në shtëpi të disa prej pengjeve izraelite. Disa kanë përshkruar një skenë horror të vërtete, pa ujë, pa ushqim. Fëmijët kanë treguar se janë urdhëruar gjithmonë të heshtin.

Babai i Mia-s, Moshe tha se ditën e lirimit të tyre, u befasua kur dëgjoi se ajo doli së bashku me qenin pasi shpresat për të ishin shuar.

“Nga ajo që tha vajza ime, ajo ishte e shqetësuar nëse diçka do t’i ndodhte qenit nëse e linte pas. Kështu ajo që bëri ishte që e futi nën pizhama kur u rrëmbyen nga kibuci. Pastaj ata i çuan në tunele, ata kaluan nëpër tunele në Gaza dhe ajo kishte qenin me vete gjatë gjithë kohës dhe kur dolën nga tuneli, ata duhej të ngjiteshin në shkallë, atëherë njerëzit e Hamasit vunë re se ajo që vajza mbante nuk ishte një kukull, ishte një qen. Pastaj filloi një debat dhe u vendos që ta linin të mbante qenin në vend që ta linin pas në një kafaz ajo e mbajti qenin me vete.”

“Për fat të mirë për mua Bella është ndryshe nga të gjithë qentë e tjerë të vegjël që unë personalisht i njoh, ajo është mjaft e qetë, përveç nëse është duke luajtur apo e çmendur. Nëse ata do ta kishin parë atë si një gjë shqetësuese, mendoj se nuk do të më lejonin ta mbaja atë, me gjithë sinqeritet,” shprehet Mia. 

Shumë kafshë shtëpiake u vranë ose u zhdukën gjatë bombardimit të shumë komuniteteve izraelite nga Hamasi.

Sipas Mias situata për shumë pengje ishte vërtetë e rëndë dhe tanimë fati i qindra të tjerëve ende nuk dihet teksa ofensiva e përgjakshme ka rinisur në të gjithë Rripin e Gazës.

“Është shumë e rëndësishme për mua të them se edhe pse unë dhe nëna ime dhe tezja u kthyem dhe ka shumë njerëz që janë kthyer, është ende e rëndësishme të luftojmë për njerëzit që janë ende atje. Janë ende aty dhe na mungojnë çdo ditë që t’i kthejmë të gjithë. Të gjithë duhet të jenë këtu që të mund të festojmë.”

Pas rikthimit Mia iu nënshtrua një kontrolli të plotë shëndetësor në një spital në Izrael.

“Fizikisht ndihem mirë. U kontrollova në spital kur mbërrita dhe jam plotësisht mirë. Mendërisht, mirë, ishte një udhëtim mjaft i vështirë dhe ishte një përvojë e vështirë. Nga ana emocionale nuk jam edhe aq mirë pasi jam e traumatizuar ende. Nuk mund të fle natën pasi kujtoj momentet e vështira atje.”

Të gjitha gratë dhe fëmijët që janë kthyer kanë humbur 10-15 për qind të peshës së tyre trupore. Shumë nga pengjet e liruar kishin gjithashtu higjienë personale shumë të keqe për shkak të mungesës së ujit për t’u larë.

Më shumë se 100 peng liruan në armëpushimin që përfundoi më shumë se një javë më parë. Që atëherë, luftimet kanë rifilluar me Izraelin që po zhvillon ofensivën e tij ushtarake kundër Hamasit në Gaza.

Familjet e njerëzve që mbahen robër në Gaza thonë se shëndeti i disa pengjeve është përkeqësuar. Disa janë tani në rrezik. Presioni është rritur mbi zyrtarët mbi 138 personat që ende mbahen nga Hamasi dhe grupet e tjera të armatosura. Izraeli është zotuar vazhdimisht se do të bëjë gjithçka që mundet për të shpëtuar pengjet e mbetura. Rreth 110 pengje janë liruar në total.

Ata thanë se të paktën një e treta e pengjeve vuanin nga sëmundje themelore dhe kishin nevojë për trajtim të rregullt mjekësor. Mendohet se provat që ata citojnë kanë ardhur nga pengjet e sapoliruar, të cilët të martën në mbrëmje mbajtën një takim me kryeministrin e Izraelit dhe kabinetin e luftës dhe përshkruan atë që panë gjatë robërisë së tyre.

Vëzhguesit thonë se takimi u bë i tensionuar dhe i çorganizuar me disa që akuzuan qeverinë se e vendos politikën përpara mirëqenies së të dashurve të tyre. Sipas gazetës izraelite Haaretz, disa prej tyre kryesisht të moshuar vuajnë nga sëmundjet e zemrës, veshkat dhe sëmundja e Parkinsonit.

Klan News


Read Entire Article