“Përplasje mes David Tukiçit e Andis Gjonit”, reagon Teatri: Opera “Rozafa” u bllokua nga mosmarrëveshjet, s’mund të jetë pjesë e kalendarit

9 months ago 19

Pas reagimit të kompozitorit David Tukiçi, i cili shprehte shqetësimin se ishte hequr nga kalendari artistik i TKOB opera e tij e dytë “Rozafa”, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit i është përgjigjur publikisht.

Në këtë reagim thuhet se bllokimi ka ardhur për shkak të mosmarrëveshjeve.

“Puna për këtë opera është vonuar për shkak të debateve dhe mosmarrëveshjeve që z. Tukiçi si kompozitor ka pasur me regjisorin dhe skenografin e kësaj vepre, Andis Gjoni, prej më shumë se 2 muajsh”, sqaron TKOB.

“Në fund të vitit 2021, përfundova së kompozuari operën time të dytë, bazuar në legjendën “Rozafa”, me libret të dramaturgut të mirënjohur shqiptar,  Z. Fadil Kraja. Pas shumë përpjekjeve për ta shfaqur në Shkodër apo Tiranë, më në fund arrita të planifikohej në kalendarin artistik të TKOB-së për tu vënë në skenë në datën 22 – 23 shtator 2023. Gjithashtu kjo opera u shpall projekt fitues nga Ministria e Kulturës për vitin 2023.

Por, në fillim të muajit mars 2023, pra 6 muaj përpara datës së shpallur në kalendar, skenografi dha dorëheqjen nga ky projekt dhe po atë ditë, drejtoresha e përgjithshme Znj. Abigeila Voshtina, e hoqi nga programacioni operën “Rozafa” !!!

E cilësoj si një vendim arrogant, pa një shpjegim logjik dhe dashamirës,  do të thoja edhe mediokër për një person të diplomuar në muzikë!”, shkruante Tukiçi.

Reagimi i TKOB:

Marrë shkas nga reagimi i kompozitorit, David Tukiçi, në prezantimin e Kalendarit Artistik 2024, dhe interesit të mediave, Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansambli Popullor sqaron se:

Dashamirësia e institucionit ka qenë maksimale ndaj kësaj vepre dhe kjo tregohet me përfshirjen e saj në Kalendarin Artistik të vitit 2023 dhe vënien në dispozicion të të gjitha burimeve të tij, duke pasur angazhim maksimal për vënien në skenë të kësaj opere.

Puna për këtë opera është vonuar për shkak të debateve dhe mosmarrëveshjeve që z. Tukiçi si kompozitor ka pasur me regjisorin dhe skenografin e kësaj vepre, Andis Gjoni, prej më shumë se 2 muajsh, duke tejkaluar tagrin e kompozitorit dhe duke i dhënë vetes kompetencat e Drejtorit Artistik, Dirigjentit, përzgjedhësit të roleve, skenografit dhe regjisorit, që krijojnë dosjen e produksionit, nga e cila zhvillohet i gjithë buxhetimi i interpretimit skenik.

Mosbashkëpunimi nga ana e tij me regjisorin ka krijuar paqëndrueshmëri  e vonesa në procesin e punës, dhe nuk i lejonte teatrit të ndërvepronte, duke bërë që të tejkalohej çdo afat për realizimin profesional të saj. Duke e bërë të pamundur përfshirjen e kësaj vepre në Kalendarin e Artistik 2024.

TKOBAP ka treguar dhe tregon një kujdes të veçantë ndaj kompozitorëve dhe veprave shqiptare. Gjatë vitit të kaluar në skenë u vendosën “Karnavalet e Korçës”, opera solemne “Skënderbeu- Kryezot i Arbërit”, si dhe janë përkujtuar me koncerte simfonike kompozitorët shqiptarë, si Simon Gjoni, Dhora Leka, Aleksandër Peçi etj. Po ashtu gjatë këtij viti, do ngjitet në skenë “Plaga e Dhjetë e Gjergj Elez Alisë” nga Kompozitori Feim Ibrahimi, ndërsa edhe kalendari artistik i këtij viti, mbyllet me koncertin simfonik për Dhora Lekën dhe Kalendari Artistik 2024 nis me kompozimet shqiptare të Feim Ibrahimit dhe Aleksandër Peçit.

TKOBAP ka dhënë një mbështetje të pa kursyer për kompozitorët shqiptarë, për të nxitur krijimtarinë e re dhe për të ndihmuar kompozitorët e rinj të vijnë në TKOB.

Për këtë arsye, gjatë vitit 2023 është organizuar “Konkursi për Kompozitorët e Rinj” që ka si qëllim afrimin e kompozitorëve të rinj shqiptarë dhe pjesëve të reja në Teatrin e Operës. Ndërsa është hapur një tjetër konkurs për kompozime të Ansamblit Popullor “Gjerdani i Artë”, nga artistë pa dallim moshe, për të sjellë krijimet e tyre pranë TKOBAP, dhe për të pasuruar muzikën shqiptare me vepra të reja.

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin, ju urojmë një ditë të mbarë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article