Pesë taktikat që Kremlini po përdor për të ndikuar në zgjedhje këtë vit

3 hours ago 20

Pesë taktikat që Kremlini po përdor për të ndikuar
Nga Luke Allnutt

Në Evropën Lindore është sezoni i zgjedhjeve dhe për Kremlinin – që po vazhdon luftën kundër Ukrainës dhe ka nevojë të madhe për aleatë – kjo kohë kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme.

Moldavia mban zgjedhjet presidenciale, si dhe një referendum më 20 tetor, i cili mund t’i ndihmojë këtij vendi që të sigurojë të ardhmen në Bashkimin Evropian. Rumania sapo ia ka ndaluar një personi me qëndrime pro-Kremlinit që të kandidojë në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në nëntor. Dhe, partia proruse e ekstremit të djathtë, Rilindja, në Bullgari, pritet të fitojë numër të konsiderueshëm të ulëseve në Parlament gjatë zgjedhjeve të ardhshme.

Çfarë po bën Kremlini – dhe aleatët e tij populistë rajonalë – për të ndikuar në votime?

Plani A, sipas Anton Shekhovtsovit, politolog ukrainas dhe ekspert i ekstremit të djathtë, “gjithmonë ka qenë bashkëpunimi me forcat tradicionale” dhe më pas korruptimi i tyre që të bashkërendohen me interesat e politikës së jashtme ruse.

Në disa shtete, Plani A ka funksionuar pasi Kremlini ka mbajtur raporte të mira me politikanët sikurse kryeministri hungarez, Viktor Orban, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri sllovak, Robert Fico.

“Problemi për Moskën është se forcat tradicionale kanë më pak gjasa të bashkëpunojnë me Rusinë sesa populistët, veçmas pas vitit 2014 [aneksimi i gadishullit ukrainas të Krimesë] dhe gjasat janë ulur edhe më shumë pas shkurtit të vitit 2022 [pushtimit rus të Ukrainës]”, tha Shekhovtsov.

Kjo nënkupton se sytë janë drejtuar gjithnjë e më shumë nga Plani B.

“Rusia është e prirë që të rreshtohet me partitë e ekstremit të djathtë”, tha Mitchell Orenstein, profesor për Studime ruse dhe të Evropës Lindore në Universitetin e Pensilvanisë, por “dëshiron të krijojë aleanca me partitë e ekstremit të majtë dhe madje deri diku mbështet partitë e qendrës”.

Të veprosh në mënyrë pragmatike dhe të bashkëpunosh me ekstremet politike shpesh mund të sjellë rezultate. Për vite të tëra, lideri i Rilindjes, Kostadin Kostadinov, ka operuar në qarqe ekstremiste dhe një herë i ishte referuar popullit rom si “parazitë” dhe i ka kritikuar ashpër migrantët.

Por, tani partia e tij, që kundërshton reformat demokratike dhe avokon për tërheqjen e Bullgarisë nga NATO-ja, pritet të dalë e dyta në zgjedhjet parlamentare të 27 tetorit.

Autoritetet në Moldavi – që kanë pasur vështirësi ta largojnë ndikimin e Kremlinit dhe ende në këtë shtet ka më shumë se 1.000 trupa ruse të stacionuara në rajonin e shkëputur të Transnistrisë – së fundi kanë njoftuar se kanë zbuluar një skemë të udhëhequr nga Ilan Shor – një i arratisur prorus që akuzohet se ka kryer mashtrimin më të madh bankar në shtet – për të blerë vota dhe për të përhapur informacione të rreme lidhur me BE-në. Sipas autoriteteve, më shumë se 130.000 moldavë kanë pranuar mbi 15 milionë dollarë në para ruse vetëm në shtator.

Skema të tilla, megjithatë, zbulohen shumë rrallë dhe shpesh është shumë vështirë të dëshmohen, pasi mbështetja financiare fshihet pas kompanive fiktive dhe llogarive offshore. Dhe, për Kremlinin, mbështetja direkte financiare është një taktikë e rrezikshme.

“Ata po kanë shumë – shumë kujdes”, tha Shekhovtsov, pasi “këtu kemi të bëjmë me aktivitet kriminal sepse nuk ka taksa [dhe partitë] po marrin para nga një fuqi e huaj”.

Për Kremlinin, një mënyrë më e lirë dhe më efektive për të rritur numrin e aleatëve në Evropën Lindore është që ta mbushë tregun me dezinformata.

Përveç mediave shtetërore ruse, siç është RT-ja, “Rusia ka ueb-faqe në gjuhë të ndryshme evropiane që promovojnë mesazhe të dobishme për forcat antiestablishmet dhe populiste”, tha Shekhovtsov. “Kjo kompenson mungesën e ndikimit mediatik të populistëve në vendet e tyre”.

Gjiganti amerikan i teknologjisë, Meta, tha më 11 tetor se kishte fshirë një rrjet llogarisë që kishte në shënjestër moldavët rusishfolës, llogari që përhapnin përmbajtje proruse dhe shfaqnin faqe të maskuara si media të pavarura.

Operacione të tilla shpesh janë pjesë e rrjeteve më të mëdha, që njihen edhe si “faqe kërpudhë”, që janë të krijuara me shumicë dhe lirë dhe përdoren për të shpërndarë lajme të pavërteta.

Nëse u besoni dezinformatave, atëherë migrantët po vijnë që t’ua marrin vendet e punës, komuniteti LBGT do të shënjestrojë shpirtin e fëmijëve tuaj, organizatat joqeveritare që financohen nga jashtë po komplotojnë për t’i rrëzuar qeveritë dhe vetëm Rusia mund të rivendosë paqen në Ukrainën fashiste.

Igor Dodon, ish-president i Moldavisë që ka mbështetjen e Moskës, së fundi ka paralajmëruar – pa ofruar asnjë dëshmi – për “kuota të LGBT-së” në institucionet shtetërore nëse presidentja properëndimore e shtetit, Maia Sandu, i fiton zgjedhjet presidenciale.

Në Bullgari, Rilindja po kërkon që të miratohet një ligj i stilit rus për agjentët e huaj, që do të shënjestronte organizatat joqeveritare perëndimore.

“Ju e keni radhën”, i tha udhëheqësi i partisë Kostadinov, Fondacionit Amerika për Bullgarinë, që është donatori më i madh i huaj në Bullgari.

Në shoqëritë konservatore, me njerëz të zhgënjyer nga demokracia dhe që përballen me vështirësi ekonomike, shumica prej tyre që nga pandemia COVID-19, tregime të tilla emocionale shpesh kanë ndikim të madh.

Duke u frikësuar për kërcënimet ndaj stileve tradicionale të jetesës dhe sovranitetit, Rusia po pozicionohet – jo për herë të parë – si shpëtimtarja e mundshme e rajonit.

Një pjesë me rol kyç e strategjisë së Kremlinit është lokalizimi i mesazhit.

“Rusia kërkon për ndonjë të përbashkët të mundshme midis qasjes së saj dhe partive që ato mbështesin”, tha Orenstein. “Në një vend, ata mund të bëjnë thirrje për pansllavizëm, në një tjetër për lidhje fetare ortodokse dhe në një tjetër për qëndrim kundër Ukrainës”.

Për shembull, në Bullgari partitë proruse luajnë me nostalgjinë sovjetike dhe narrativët që e paraqesin Rusinë si çlirimtare nga sundimi osman. Në Hungari dhe Sllovaki, partitë proruse e shfrytëzojnë frikën ndaj migrantëve dhe perceptimin se BE-ja po minon sovranitetin kombëtar.

Në Moldavi, Irina Vlah, ish-guvernatore që e mbështet Moskën, ka deklaruar se numri i madh i poseduesve të pasaportave rumune në këtë vend është dëshmi e një komplot dashakeq rumun për të marrë nën kontroll fqinjin më të vogël, e më të varfër.

Në terma afatgjatë, synimi i Kremlinit është të minojë BE-në dhe NATO-n dhe të tërheqë sërish shtetet e Evropës Lindore në orbitën e Rusisë.

Në terma afatshkurtër, e gjithë kjo ka të bëjë me Ukrainën. Për Kremlinin, kjo nënkupton që të prishë konsensusin e brishtë evropian se Kievi meriton mbështetje ushtarake dhe ekonomike.

Ajo që Kremlinit i intereson më së shumti, tha Orenstein, është “orientimi i politikës së jashtme” i partive që mbështet në Evropën Lindore, në mënyrë që të sigurojë mbështetjen e tyre për çështje të tilla siç janë sanksionet apo statusi i Krimesë.

“Keni disa parti që kur filluan të marrin mbështetjen ruse, ato në fakt ndryshuan shumë nga pozicionet e tyre të politikës së jashtme dhe i orientuan apo drejt Rusisë”, tha Orenstein.

Megjithatë, thelbësore është se Rusia jo domosdo ka nevojë për mbështetje të qartë për të pasur sukses. Ndonjëherë, mbjellja e mospajtimeve dhe polarizimi i popullatave mund të shkatërrojë demokracitë dhe shoqëritë civile, të cilave Kremlini u frikësohet shumë.

Read Entire Article