Petë me Miell Misri dhe Presh – Nga më të Mirat e Traditës

2 weeks ago 27

Peta me Miell Misri apo e njohur ndryshe me emrin Pisipili është padyshim ndër gatimet më speciale në kuzhinën shqiptare.

E përgatitur me kombinime të ndryshme mbushjesh, me djathë a me gjizë, me kos, qumësht e vezë, spinaq e hithra, apo kunguj e qepë domate, shija e saj në të gjitha variantet mbetet e papërshkrueshme.

Një recetë që mahnit çdo turist të huaj që provon kuzhinën tradicionale shqiptare e që sigurisht nuk mungon në tryezat shqiptare.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën fantastike të përgatitjes së petës me presh krejt lehtë në shtëpi.

Një gatim special që të kujton jo vetëm shijen e mirë dhe të nxit dëshirën për ta konsumuar sa më parë, por edhe të sjell ndërmend atmosferën në shtëpi kur ai gatuhet nga duart e nënës apo gjyshes.

Peta me presh është një alternativë fantastike për t’u konsumuar në çdo kohë të ditës.

Ajo shoqërohet me kos, dhallë e djathë, sallata të freskëta të stinës, turshi e zahire të ndryshme të kuzhinës shqiptare.

Përgatitja e Petës me Presh në Shtëpi

Përbërësit

  • 1 kg presh
  • 1 filxhan çaji vaj ulliri
  • 4 filxhanë çaji miell misri
  • 1 kokërr vezë
  • 2 lugë gjelle djathë i thërrmuar
  • Kopër ose nenexhik

Përgatitja

Preshi lahet mirë dhe grihet hollë. Kaurdiset në një enë të mbyllur, sa të zbuten.

Kur hiqen nga zjarri u hidhet një fetë djathë i bardhë i thërrmuar, kripë, vezë, kopër ose nenexhik.

Përzjerja lihet të zjejë derisa të ngelet pa lëng.

Në një tenxhere hidhet më tepër se gjysma e miellit të misrit.

Shtohet ujë i nxehtë, kripë, vaj ulliri dhe përgatitet një brumë i derdhur.

Brumi hidhet në një tavë të lyer me pak vaj.

Mbi të hedhim masën e preshit dhe mbulohen me një shtresë mielli misri (hidhet me anë të sitës apo me anë të dorës).

Spërkatet me qumësht ose ujë që të njomet mielli.

Në fund spërkatet me disa pika vaj ulliri apo gjalpë të freskët dhe futet të piqet në furrë derisa të marrë një ngjyrë të kuqërremtë./AgroWeb.org

Read Entire Article