Policia e Dibrës aksion kundër krimeve mjedisore, procedohen penalisht 4 persona

1 year ago 34
Reklamë

Katër persona në Dibër janë proceduar penalisht pasi akuzohen për prerje të kundërligjshme të pyjeve dhe ndërtim pa leje. Dy prej tyre, 36 dhe 32 vjeç nga Bulqiza, u proceduan pasi u kapën teksa transportonin me automjetet e tyre dru për zjarr, të cilët ishin prerë në kundërshtim me ligjin. Për dy të tjerët nga Dibra, 64 dhe 65 vjeç, nisi procedimi penal pasi u konstatuan duke kryer punime për ndërtimin e dy objekteve, pa u pajisur me leje.

NJOFTIMI I POLICISË:

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, prioritet parandalimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit. Si rezultat i punës në terren, konstatohen dhe goditen 2 raste të prerjes së kundërligjshme të pyjeve dhe 2 raste të ndërtimit pa leje. Procedohen penalisht 4 shtetas. Në zbatim të detyrave të lëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për vigjilencë të shtuar dhe për angazhim në terren, me fokus parandalimin dhe goditjen e krimeve ndaj mjedisit, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe të komisariateve në varësi, kanë intensifikuar kontrollet dhe si rezultat kanë evidentuar dhe goditur 4 raste të tyre.

Për këto raste u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: A.C., 36 vjeç, banues në Zall-Bastar; P.Gj., 32 vjeç, banues në Bulqizë, pasi u kapën teksa transportonin me automjetet e tyre, dru për zjarr, të cilët ishin prerë në kundërshtim me ligjin. Sasia e druve dhe automjetet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu nisi procedimi penal për shtetasit V.I., 65 vjeç; B.T., 64 vjeç, banues në Dibër, pasi u konstatuan duke kryer punime për ndërtimin e dy objekteve, pa u pajisur me lejen e organeve përkatëse. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, apelon për të gjithë qytetarët që të mos implikohen në veprimtari të kundërligjshme në dëm të mjedisit, pasi kontrollet vijojnë në mënyrë të pandërprerë, dhe çdo tentativë do të konstatohet dhe do të goditet me forcën e ligjit.

Read Entire Article