Janë bërë plot tetë seanca ku kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur t’i sigurojë votat për t’u bërë kryetare e Kuvendit.
Të martën, është bërë përsëri përpjekja që Haxhiu të bëhet kryeparlamentare dhe për këtë kanë votuar 54 deputetë, ndërsa 44 ishin kundër dhe tre abstenuan, duke mos arritur kështu pragun e 61 votave të nevojshme.
Seanca e radhës do të mbahet të enjten, ndërsa kujtojmë se që nga 15 prilli janë mbajtur seancat për konstituimin e kuvendit.
Në shtatë seancat paraprake deputetët kanë arritur të kalojnë vetëm dy pikat e para të rendit të ditës – miratimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve – por, kanë ngecur në pikën e tretë, atë të zgjedhjes së kreut të ri të organit legjislativ.
Fituesja e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje e ka të drejtën të propozimit të kandidatit për kryeparlamentar. Kandidatja e kësaj partie për postin e kryeparlamentares, Albulena Haxhiu, në vazhdimet paraprake të seancës konstituive nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme.
Partitë që legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë kanë thënë se kjo tregon se partia e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk i ka votat në Kuvend as për kryeparlamentaren, e as për formimin e ekzekutivit të ri.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë cilësuar Haxhiun si figurë përçarëse, ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk do të japë votë për çdo emër të propozuar nga LVV-ja.
PDK-ja dhe AAK-ja kanë kërkuar që LVV-ja të propozojë një emër tjetër për postin e kryeparlamentarit, një person, që sipas tyre, është figurë unifikuese, në mënyrë që t’i marrë votat e deputetëve të tyre.
Vetëvendosje ngul këmbë se Haxhiu është kandidate meritore dhe, përkundër se ka bërë thirrje për marrëveshje politike, ka hedhur poshtë mundësinë e propozimit të ndonjë kandidati tjetër pos saj.
Analistë e njohësit e zhvillimeve në vend dalin me propozime të ndryshme për zgjidhjen e ngërçit politik, në anën tjetër propozime kanë edhe partitë që madje nuk hezitojnë të përmendin edhe zgjedhjet e reja.
Opinionisti Ismail Muçiqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka folur rreth zgjidhjes së ngërçi, që sipas tij, kompromiset janë të domosdoshme.
“Zgjidhja e vetme është të mbizotërojë arsyeja racionale, për interesin e vendit, duhet lënë anash inatet, tendencat, interesat për t’i konstituar Institucionet e Shtetit.Kompromiset në politikë janë të domosdoshme sa here që ka pengesa dhe vështirësi në demokraci. Por këtu është në pyetje interesi i liderëve partiak dhe grupeve të interesit të cilat që nga pas lufta e kanë zhvatur pasurinë e Shtetit”, shprehet Muçiqi.
Tutje, ai i sheh zgjedhjet si opsion për të dalë nga bllokada.
“Nuk besoj që në këto rrethana të polarizimit të skajshëm mund të arrihet ndonjë marrëveshje për ndonjë qeveri të përgjithshme, por zgjedhjet e reja janë opsion për të dalë nga kjo bllokadë e mjerimit nëse populli më në fund e ka kuptuar kush po e keqpërdor votën dhe çka fshihet prapaskenë”, përfundon opinionisti.
Opinionisti Ismail Muçiqi
LVV-ja i ka fituar zgjedhjet me 42 për qind të votave, apo 48 ulëse në Kuvend. Por, edhe për formimin e Qeverisë asaj i duhen të paktën 61 vota të deputetëve.
Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh.
AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit.