Projekti filmik për Adelina Ismailin, merr tri çmime në “Docs Barcelona”

4 months ago 13
Reklamë

“Adelina”, dokumentari i ri me skenar e regji të Aurela Berilës, ka shënuar sukses të madh në skenën ndërkombëtare duke u shpërblyer me tre çmime të rëndësishme në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar “Docs Barcelona”.

Ky triumf i jashtëzakonshëm jo vetëm që sjell në vëmendje talentin e regjisores së re, por edhe e konfirmon zhvillimin dinamik të kinematografisë në Kosovë, duke vënë në pah valën e re të krijuesve të filmit në këtë rajon.

Nga gjashtë çmimet prestigjioze që “Docs Barcelona” ndan për projektet filmike, dokumentari që rrëfen jetën dhe karrierën e pop-këngëtares së njohur Adelina Ismaili, ka arritur të marrë gjysmën e tyre.

Projekti, me producentin Eroll Bilibanin, i cili është edhe udhëheqës i “DokuLabit”, shkollës dhe laboratorit të “DokuFestit”, ka qenë në qendër të vëmendjes ku ka fituar “Best Project Award”, “Best Pitch Award” dhe “San Sebastian Foro Lau Haizetara Award”.

Kjo është hera e dytë që një festival prestigjioz në Spanjë, një vend që ende formalisht nuk e njeh Kosovën, vlerëson dhe e çmon lart një projekt filmik që përqendrohet në historinë e Adelina Ismailit, duke iu afruar jo vetëm karrierës së saj, por edhe ndikimit të saj kulturor dhe shoqëror.

“Docs Barcelona” këtë vit ka mbërritur në edicionin e 27-të.

Çmimet e marra nga “Adelina” në kuadër të “Industry Awards” të festivalit përbëjnë një hap konkret drejt suksesit të mëtejshëm.

Çmimi për “Projektin më të Mirë” është shpërblimi kryesor i festivalit dhe përfshin një sasi monetare prej 4,500 eurosh.

“Best Pitch Award” vjen nga platforma transmetuese “HBO Max” dhe ofron 2,000 euro dhe mbështetje për zhvillimin e mëtejshëm të dokumentarit.

Si pjesë e çmimit “San Sebastian Foro Lau Haizetara Award”, “Adelina” do të garojë në forum të njëjtem në kuadër të Festivalit të 73-të në San Sebastian, që do të mbahet këtë shtator në Spanjë. /Telegrafi/

Read Entire Article