“Qeveria sot ishte e heshtur”/ Analiza satirike e Gjekmarkajt: Luli dukej i pikëlluar, rrinte rëndë. Braçja u gajas me Xhafën duke harruar se…

1 year ago 41
Reklamë

Balkanweb app Get it on Google Play

Nga Agron Gjekmarkaj

Qeveria sot ishte e heshtur. Madje ministrushja e re e shëndetësisë emri i të cilës nuk na vjen desh dremiti. Ai i financave iku se nuk e di ende çfarë duhet të thotë e çfarë jo.

Bora si bletë punëtore nuk i ngriti kurrë sytë nga kompjuteri duke dhënë shembullin e punës. Niko nikoqiri dhe Tezja i qeshnin ëmbël njëri-tjetrit si dy larushë që lodrojnë lëndinave. Anila Denaj kishte prerë flokët gagarel duke e bërë moshën të palexueshme.

Çuçi kruante mjekrën dhe herë pas here thoshte “tobestak furallak, tobestak furullak”. Elisa akuzoi Doktorin se e ishte snajper me pagesë, nuk e di ajo që ai këto i bën gratis dhe me shumë qejf i uruari? Margeriti u pa duke ngrënë ca biskota që i shkriheshin në gojë si floku i dëborës. Ndërsa Luan Baçi fliste me pathos Eni Xake perkundej në buzëqeshje të dashura se kushedi ç’mendim i kalonin asaj ane.
Bela sot na kishte marrë gjithë blunë si Lideri i vogël historik vulën. Pa anash mos qe Niko për ti sjelle kafenë dhe u bezdis kur ai qe bërë firar. Usliu erdhi vonë si ëmbëlsira në fund, ngarkuar me qetësi ku herë pas here u nxirrte gjuhen atyre qe desh i morën stolin. Gjeneral Kollçaku mallkonte Botën, si erdh kjo kohe që gjeneralët të trajtohen si poet i thoshte Nasipit i cili tundte kokën?! Ogerta recitonte vargjet e Naimit “ ti Shqipëri më jep nder…” po përgatitem për takim me fëmijët e shkollës tha.

Braçja u gajas me Xhafën duke harruar se partia ka nevojë për armiq dhe dikush e njofton Babon. Mungesa e Majkos ka rënë në sy. Antoneta Dhima i lutej pusho mor bir se u lodhe fut një gjë në goje se te merr uria. Mimi di Puccini vajtonte si Lek Dukagjini për Skënderbeun mungesën e tij. Çyrbja lavdia e të cilit kishte mbërritur deri në qendër të Neë Jork-ut hipur mbi zetor si Ditmari në kongres qeraste me gëzim kolegët.

E lëmuar në mendime, ku eleganca ndërtohet në proporcion mes asaj që duket dhe asaj që ndihet, plot iniciativë Bana po i jep tonin aksionit opozitar. Idetë e saj si meteor po shtyjnë retë në qiellin e errët të saj. Me shpejtësinë e entuziazmit i bie sallës pash më pash. Rruazat e gjata e të bardha në çdo çast mund të shndërrohen në gjyle mbi dushmanin.

Me ritmin e pasionit jep udhëzime. Në dukje këtu s’ka asgjë të keqe nëse kryezëvendës Lideri Muli pas luftërash të shumta të mos ishte semurur. Ai mes ethesh e zjarrmisë lengon. Balli i digjet, djerset e mbulojnë, goja i thahet. Ne dashamirët e dishepujt e tij i urojmë sa më parë shërim dhe armët të rrokë për beteja të reja. Isuf Çela merr rrugën drejt Kukësit si jetim duke kthyer kokën pas në temperatura ngrihet.

Shokët e armeve duke përfituar nga mungesa i ngrenë pusira për ti zbehur rrolin në bashkimin e madh. Fakti që Doktori ka ngarkuar atë për të shkruar librin e zi të zgjedhjeve të 14 Majit ka shkaktuar dy efekte, ngritje të shkrimtares në sërë dhe xhelozi se mos do të jetë ajo kandidatja jonë për Kryeministre. Salianji, i cili përkufizon dhe ndan kufijtë mes të mirës dhe të keqes pa ju dridhur qerpiku ka marrë rrugën për në Vietnam për t’u strehuar në një mungade budistesh e darovitur mendimet.
Nuk është çudi që ti sjellë ata të bekuar në Kavajë për eksperiencë si fitohen zgjedhjet po edhe për pak plazh e muhabet se kush ja pa hairin meditimit.

Dash Sula nuk është më ai i pari. Venomet estetike i ka braktisur. Vellazerim -Bashkimi e ka vënë në mendime. Sajme Korreshi doli e foli, vox popoli vox dei. Luli sot dukej i pikëlluar. Ndihej i prerë në besë teksa Gaz Bardhi rrinte rëndë. Nga lart Bledion Nallbati për ti shtuar marazin këndonte nën zë “ O Sali o hero, Gazment Bardhi shumë të do”. Lulit, lotët çurg. Eralda Tase Bano i drejtohej Gazit, “po s’të vjen keq se sheh hë të keqen, hë xhan?!”. Ori Nebiaj po ashtu “aman aman fale fale” Bardhi jua ktheu, “të plasë ore aty aq më ben, ky është fillimi, do të na marrë grupin ky ëëë, ta shohë ça do i bëj ”. Një uaaaaaa si krusmë çau ajrin –“sa i keq dhe ti, hë mo hë”.
Jorida me një flamur të bardhë në dore përpiqet ti mbajë kolegët me gajret, me kumtin se ditët e mira paskëtaj do të vinë. Gaz Bardhi me një furi të panjohur më parë, i ra tavolinës me grusht kur Luli desh të bënte puç, letrat kërcyen përpjetë, mikrofoni ndeshi tavanin, tym dilte nga veshët, unë dhe Jorida u futem nën banak të zalisur. Kosta gërvishte faqet dhe rënkonte mysybet, mysybet Lindita po heq gazep. Nuk ishte larg të dhënit kujes. Kronika këtu ndërpritet sepse Petro Koçi pa na lexon buletinin e luftës në Ukrainë. Ndërsa Etila po vë melhem mbi plagët e luftëtarëve të lirisë me fjalët e buta nën shikimin e vrenjtur të Ermo qerrateshës trazuar nga llaf i lig i Doktorit teksa Toni bën shenjën e kryqit për të rënët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article